Pas ultimatumit të Gjykatës Kushtetuese që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të bëhet brenda 30 ditëve, deputetët janë mbledhur sërish këtë të premte në përpjekjen e tyre të 38-të.
Kryeministri Albin Kurti nga ana tjetër i ka ftuar liderët politikë për një takim të përbashkët, në përpjekjen e radhës në funksion të konsensusit për konstituimin.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, tha Albin Kurti.
Partitë parlamentare e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar”.
Por, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, deklaroi se “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”.
Ndërkohë Lidhja Demokratike theksoi se vendimi përcaktoi se Vetëvendosja “nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, dhe se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare”.
Nga ana tjeter Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se kjo parti nuk mund të mos shprehet e lehtësuar që kërkesa e saj për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është “pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”./vizionplus.tv





