Krijimi i Komisionit për Reformën Territoriale-Administrative është një hap pozitiv, ndërsa deri tani është vërejtur bashkëpunim mes forcave kryesore politike. Kështu u shpreh Niko Peleshi nga Maliqi, i cili theksoi se synimi është që produkti final i reformës të jetë me dakordësi nga të dyja palët, duke garantuar qëndrueshmëri më të madhe në kohë.
“Nëse i referoheni varianteve që besohet se kanë rrjedhur në media nga diskutimet e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku janë prezantuar disa mendime, propozime dhe variante nga anëtarët e Partisë Socialiste në këtë komision, unë nuk mund të nxitoj të jap një vlerësim.
Variantet e ndryshme duhet domosdoshmërisht të kemi mundësinë t’i shqyrtojmë të dyja palët, si edhe variantet që mund të paraqiten në komision nga anëtarë të tjerë të komisionit që nuk janë pjesë e grupit parlamentar socialist”, tha Peleshi.
Peleshi theksoi se thelbi i reformës duhet të jetë rritja e eficiencës së bashkive dhe shfrytëzimi më i mirë i potencialeve ekonomike, veçanërisht në zonat rurale.
“Një gjë e mirë e reformës së vitit 2015 është se për herë të parë patëm bashki që janë njëkohësisht rurale dhe urbane. Kemi shumë mundësi, për shembull në qarkun e Korçës, për t’iu përgjigjur edhe pyetjes suaj. Ne kemi fushën e dytë më të madhe bujqësore në Shqipëri. Siç ka qenë formula para vitit 2015, me bashki urbane dhe komuna rurale të ndara, nuk mund të shfrytëzohej plotësisht potenciali”, shtoi Peleshi.
Ai shtoi se harta e re nuk duhet të udhëhiqet nga faktorë politikë apo demagogjikë, duke kujtuar se edhe reforma e viteve 2014–2015 ishte një hap cilësor përpara në ndërtimin e arkitekturës së re të bashkive.
“Madje jam dëshmitar i asaj kohe dhe nuk ka pasur një faktor të tillë të orientuar politikisht që të ketë drejtuar reformën. Përkundrazi, besoj se ishte një hap shumë i mirë përpara, një hap cilësor drejt arkitekturës së re të bashkive tona. Por, siç e thashë, gjithmonë ka dinamikë, ndaj edhe ka ardhur koha për një reformë të re. Unë shpresoj shumë dhe do të luaj edhe rolin tim, që më takon si Kryetar i Kuvendit, për të mundësuar një klimë sa më pozitive. Ndonjëherë nuk është e lehtë, është një nga sfidat më të mëdha të atij pozicioni, që të kemi një formulë bipartizane. Kjo do të shmangte edhe paragjykimet për një reformë të frymëzuar politikisht”, tha ai.
Peleshi mohoi gjithashtu zërat për përçarje brenda partisë, duke i cilësuar ato si thashetheme pa bazë politike. Ai theksoi se debatet dhe diskutimet e gjata janë pjesë normale e demokracisë së brendshme dhe nuk mund të konsiderohen si ndarje apo konflikt./vizionplus.tv





