Subscribe

U deshën 2 ditë negociata të drejtuara nga faktori ndërkombëtar, që opozita të thyente bojkotin ndaj procesit të reformës në drejtësi. Pas një takimi prej dy orë e gjysme në selinë e kryesisë së Kuvendit, ku morën pjesë ambasadori amerikan Donald Lu, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, kreu i komisionit të reformës Fatmir Xhafaj, ekspertët të nivelit të lartë, dhe ekspertët e Partisë Demokratike, u ra dakord që puna të rinisë me nenin e kontestuar nga opozita. U pranua që të dëgjohen alternativat e demokrateve mbi votimin me shumicë të cilësuar. I gjithë procesi do mbikëqyret nga ndërkombëtarët. Më herët gjatë ditës, ngërçi i krijuar në reformë në drejtësi, pas bojkotit të opozitës, vuri në lëvizje drejtuesit e mazhorancës. Takimi mes kryeministrit Edi Rama, kreut të Kuvendit Ilir Meta, ministrit të drejtësisë Manjani, drejtuesit të komisionit të reformës në drejtësi Xhafaj, dhe dy kryetarëve të grupeve parlamentare PS-LSI, zgjati për rreth 1 orë e 45 minuta. Në fund të këtij takimi, kryeparlamentari Meta kërkoi ndërprerjen e bojkotit dhe vijimin e punës. Procesi ka ecur pozitivisht tha kreu i Kuvendit, por se nuk mund të thuhet se ka përfunduar. Ndërkohë që kryeparlamentari shkoi në zyrën e tij, kryeministri Rama iu drejtua selisë së presidencës, për një takim me kreun e shtetit Bujar Nishani. Vetëm një ditë më parë, Presidenti i Republikës u vetofruar si negociator për zgjidhjen e ngërçit politik. Takimi Nishani-Rama, i cili ishte kërkuar nga kreu i qeverisë Rama, zgjati për rreth 1 orë e 30 minuta, u përqendrua në ecurinë e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë. Nuk janë dhënë detaje mbi bisedën e krerëve të shtetit, por mësohet se kryeministri Rama, ka folur mbi hapat e ndërmarra mbi reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë e miratimit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *