Per mese dy ore, dy drejtuesit me te larte te Universitetit të Tiranës, ish-rektori Dhori Kule e rektori i sapozgjedhur Mynyr Koni, dëshmuan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për kërcënimet qe morën para zgjedhjeve. I pari që u paraqit rreth orës 9:30, tek prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuci ishte Dhori Kule. Burime të prokurorisë thanë se ai ka treguar kërcënimin nga tre persona, që ndodheshin në një makinë të zezë. Por ish-rektori mohoi të ketë njohur ndonjë prej tyre. “Më thanë të mos mbështesja kandidatin Mynyr Koni, përndryshe do të më gjente e zeza” – mësohet të ketë deponuar Kule. Sipas tij, agresori kishte syze dhe nuk mund te identifikohej.
Kule, në përfundim të dëshmisë në prokurori, nuk pranoi të flasë për mediat. Edhe profesor Mynyr Koni ka treguar se si ishte kërcënuar me jetën e familjes, nëse nuk do të tërhiqej nga gara për rektor. Por sipas tij, ai nuk mund ti identifikonte autorët, pasi nuk i kishte parë asnjëherë më parë. Për kërcënimin e konit dhe të kules prokuroria ka akuzuar Emiljano Shullazin dhe shokët e tij. Janë marrë edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së ambienteve ku kanë ndodhur ngjarjet, por sipas burimeve, ato nuk mund të identifikojnë qartë autorët. Kjo është hera e parë që 2 profesorët thirren për të dëshmuar në organin e akuzës, pas denoncimit publik të bërë nga ish-kryeministri Berisha se Kule e Koni janë kërcënuar me jetë nga Emiljano Shullazi e grupi i tij.
Ende nuk dihet nëse prokuroria do të bëj një seance ballafaqimi ndërmjet profesorëve që kanë deponuar kërcënimin dhe personave të dyshuar, teksa versioni i dhënë këtë të enjte nga profesorët, ka qenë i njëjtë me atë të dhënë edhe në polici afro 10 ditë më parë.
Koni e Kule dëshmojnë në Prokurori
Subscribe





