Situata politike në vend dhe reformat shtetformuese, kanë sjellë në Tiranë një delegacioni të Kongresit Amerikan, të drejtuar nga kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore Bob Goodlatte. Takimin e parë e patën me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, me të cilin diskutuan mbi situatën politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecurinë e reformës në drejtësi, rëndësinë e shtetit ligjor.

 

Po ashtu, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës është diskutuar edhe mbi fenomenin e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen.

 

Më pas, kongresmenët kanë takuar kreun e Kuvendit Ilir Meta, njëherësh President i zgjedhur. Në qendër të bisedës ka qenë situata politike, me fokus të veçantë mbarëvajtjen e zgjedhjeve politike. Po ashtu u diskutua edhe mbi avancimin e reformës zgjedhore, zbatimin e reformës në drejtësi, si dhe luftën korrupsionit, krimit dhe trafiqeve të drogës. Duke u ndalur në zhvillimet në Ballkan, u nda bindja se Shqipëria është një partner solid i NATO-s me peshë të   rëndësishme për avancimin e axhendës euro-atlantike të vendeve fqinje.

 

Kongresmenët amerikanë janë takuar edhe me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, i cili informoi mbi ecurinë e procesit të reformave, në mënyrë të veçantë në rëndësinë e reformës në drejtësi, si një nga aspektet më thelbësore për forcimin e shtetit ligjor në vend. Sipas Bushatit zbatimi i reformës në drejtësi është ngadalësuar për shkak të bojkotit të Kuvendit nga opozita. Në emër të delegacionit, Kryetari Goodlatte vuri në dukje dhe përgëzoi për progresin që kishte konstatuar në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë madhore të zbatimit të reformës së gjyqësorit.

 

Delegacioni i ligjvënësve amerikanë ka pasur një takim edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Ky i fundit informoi mbi betejën e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, larg ndikimit të parave të drogës.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *