Konferencë Shqipëri-Itali për luftën ndaj kanabisit/ Veliu: U proceduan dhjetëra policë dhe zyrtarë

Drejtori i Pargjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu realizoi sot një konferencë të përbashkët virtuale me Departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Italisë për luftën kundër kanabisit.
Teksa bënte një pasqyrim të rezultateve të përbashkëta për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, Veliu tha se për vitin 2020, Policia e Shtetit ka arrestuar e ndaluar 284 shtetas, ndërsa ka asgjësuar 137.216 bimë narkotike.
“Punë të pandërprerë kemi bërë për goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet zhvillimit të veprimeve operacionale për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve procedurale për dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Evidentuam 577 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, nga të cilat 505 janë raste kultivimi dhe 109 procedime proaktive. Janë implikuar 468 shtetas, janë arrestuar e ndaluar 284 shtetas. Janë konstatuar e janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë. Gjatë periudhës referuese në bazë të statistikave të kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 37%, nga 1447 kg e 982 gr. vitin e kaluar, në 911 kg e 500 gr. këtë vit. Mungesa e lëndës narkotike në treg është reflektuar edhe në çmimin e saj, i cili është rritur nga 800-900 euro për kg në 2019 në 1400-1500 euro për kg në 2020”, deklaroi Veliu.
Gjatë vitit 2020, Ardi Veliu pohoi se u përjashtuan 3 punonjës nga Policia dhe janë ndjekur penalisht 17 efektivë që janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.
“Me vendosmëri reaguam ndaj çdo konstatimi të moszbatimit të detyrave funksionale, implikimi apo shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit. Si rezultat gjatë vitit 2020 u përjashtuan 3 punonjës nga Policia dhe janë ndjekur penalisht 17 punonjës policie që janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu janë dhënë 72 masa për shkelje të rënda disiplinore, 71 masa për shkelje të lehta disiplinore, si dhe janë transferuar 11 punonjës policie në nivele drejtuese. Gjithashtu, shembull i vendosmërisë së punës tonë, për plotësimin e detyrimeve të Planit Kombëtar të Veprimit në luftë ndaj kanabisit, është edhe procedimi penalisht i 206 zyrtarëve vendorë, administratorë të njësisë administrative, kryetarë fshati dhe inspektorë të shërbimit pyjor, roje ujësjellësi etj., për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.




