Ministrat e Jashtëm të BE vendosën këtë të martë për të marrë më shumë kohë për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kreu i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali ishte i ftuar në edicionin e lajmeve në “Vizion Plus” për të komentuar këtë vendim. Ai deklaroi se Konferenca Ndërqeveritare shënon nisjen e negociatave.

 

“Është i rëndësishëm sepse do të thotë nisja e procesit negociues. Sepse vërtetë kemi marrë dritën jeshile, vendimin politik, por praktikisht negociatat hapen vetëm kur ne zhvillojmë bisedimet së bashku, duke nisur nga Konferenca Ndërqeveritare. Do të nisin negociatat. BE ka mësuar nga ky proces zgjerimi, negociatash dhe e ka fragmentarizuar gjithnjë e më shumë. Më përpara nuk ka patur kaq shumë kushte të ndërmjetme, kushte tavan, ndërkohë tani procesi është fragmentaziruar për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa më shumë vonohesh, aq më shumë vendime e detaje ke. Tashmë kemi një ndarje mes vendimit politik dhe vendimit teknik.”

 

Ai e ndali theksin edhe tek fakti se mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare nuk do të thotë se çdo gjë ka mbaruar. Gjipali shpjegoi se mund të kthehesh edhe në pikën zero nëse nuk plotëson kushtet.

 

“Metodologjia e re e zgjerimit është miratuar pas propozimit francez. Kur ne nisim negociatat, mund të kemi avancuar shumë në disa kapituj, por nëse nuk kemi acancimin e duhur në bllokun e parë, lufta kundër korrupsionit, sistemi gjyqësor, mund të kthehesh mbrapa dhe të shkosh në pikën zero. Ata që ecin siç duhet, mund të aksesojnë fonde të BE që deri më sot janë vetëm për vendet anëtare.”

 

Dhjetori është mundësia më e afërt kur mund të ketë një vendim tjetër, por Gledis Gjipali tha se Shqipëria mund të ngelet jashtë axhende.

 

“Dhjetori është mundësia më e afërt ku do të mblidhen krerët e shteteve dhe do të diskutojnë axhendat politike. Por nuk jemi të favorizuar sepse ka shumë çështje të rëndësishme, Brexit, situata e COVID dhe mosmarrëveshjet për buxhetin, mund të ngelet jashtë sidomos nëse nuk ka një komrpomis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *