Subscribe

Edhe gjatë ditës së enjte kompanitë e sigurimit, nuk kanë ndryshuar çmimet, duke lënë në fuqi tarifat e rritura, ku vlera mesatare e një siguracioni shkon në 18.500 lek të rinj. Të kontaktuar nga Vizion Plus, disa prej drejtuesve të firmave të sigurimit, thanë se kanë zhvilluar takime me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe kanë rënë dakord për të lënë në fuqi të njëjtat çmime. AMF dy ditë më parë u nisi një kërkesë kompanive që të ulnin tarifat, por ato nuk i reflektuan.

Sërish çmimet e siguracionit janë të larta, një ditë më parë ekspertët e kompanive të sigurimit kanë qënë në takim me ekspertë të AMF-së dhe kanë vendosur të lenë në fuqi çmimet e rritura. Kompanitë madje kanë kërkuar çmime më të larta.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk ka dhënë asnjë përgjigje nëse ka zhvilluar një mbledhje dhe cili ka qënë vendimi që ka marrë. Po ashtu, nuk dihet nëse ka marrë masa për mos zbatimin e kërkesës që u bëri këtyre firmave dy ditë më parë, të cilat nuk e zbatuan vendimin e tij. Por së fundi, AMF ka përfunduar projektligjin për sigurimet dhe risigurimet, ku ka vënë si kusht që ndryshimi i çmimeve më parë të miratohet nga ky autoritet.

Shoqëria e sigurimit njofton Autoritetin brenda 10 ditëve kalendarike, përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe depoziton në Autoritet, bazat teknike dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë. Autoriteti miraton tarifat e reja dhe vetëm pas miratimit nga Autoriteti ato bëhen efektive.

Në projektligj urdhërohet edhe nisja e sistemit bonus – malus përmes të cilit siguracioni pritet në bazë të numrit të aksidenteve dhe vjetërsisë së drejtuesit. Adrian Devolli ka 20 vite që ka marrë lejen e drejtimit dhe nuk ka bërë asnjë aksident, megjithatë ai paguan njësoj me të gjithë. Ky sistem duhet të kishte filluar që para dy vitesh. Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioni i Ekonomisë kanë kërkuar disa herë futjen në fuqi të tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *