Ditën e sotme u zhvillua mbledha e Komisionit Rregullator të KQZ, e cila u mbyll pa miratimin e projekt-vendimit për organizimin e zgjedhjeve në Himarë.

Mbledhja u shoqërua me debate, ndërsa anëtarët votuan 3 pro dhe 2 kundër miratimit në parim, kështu kryetarja mbylli mbledhjen pasi për miratimin e projekt-vendimit duhej një shumicë prej 4 votash.

Anëtari i Komisionit Rregullator Muharrem Çakaj thotë se vendimmarrja e KQZ për heqjen e mandatit të Fredi Belerit është e pavlefshme.

 “Lidhur me aktin që është sjellë para komisionit rregullator për zgjedhjet e pjesshme të Himarës që zhvillohen më datë 4 gusht, siç e theksova dhe më parë dhe pasi ma konfirmoi sekretarja e KQZ, më rezulton që akti iniciues që ka çelur siparin e kërkesës së Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit të jetë marrë në mungesë të kompetencës për të shqyrtuar pavlefshmërinë e mandatit për një kandidat. Baza ligjore e përdorur nga KQZ është ligji për dekriminalizimin, ndërkohë që ligji për dekriminalzimin bën fjalë për ngjarje dhe situata juridike që do duhet të kenë ndodhur para kandidimit dhe kandidati për bashkinë e Himarës ose si ka bërë të ditura, ose ka qenë në kushtet e ndalimit. Vendimmarrja është e pavlefshme. Akti që ka iniciuar këtë proces është i pavlefshëm. Pavarësisht kësaj, edhe në hipotezën se ky akt do vlerësohet nga gjykatat, në pikën 3 të këtij akti ne kemi të parashikuar që mund të bëhen ankim në KAS. Po ditën që është marrë vendimi i KQZ, kemi një vendimmarrje me një shpejtësi të rrufeshme gjithë institucionet kanë caktuar datën, që ishte e paracaktuar, datën 4 gusht për zhvillimin e zgjedhjeve në Himarë. Akti është i pavlefshëm dhe gjithë pasojat nuk qëndrojnë. Nuk është respektuar afti 30 ditor. Duhet të presim vendimin e Gjykatës para se të miratojmë këtë akt”, tha Çakaj.

Çakaj shtoi se dekreti i Begajt për shpalljen e zgjedhjeve më datë 4 gusht është i pavlefshëm pasi duhej pritur të kaloni afati për ankimin e vendimmarrjes së KQZ.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi më 5 korrik zgjedhjet për kryetar bashkie në bashkinë Himarë.

Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj thirri në konsultë Ilirjan Celibashni, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *