Subscribe

Ekspertët e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it kanë lënë në fuqi ndryshimet në Kodin Zgjedhor për modelin e koalicionit, edhe pse kritikuan ashpër shpejtësinë me të cilën u miratuan ndryshimet.

Në Tiranë ka mbërritur opinioni paraprak i ekspertëve I cili thekson se para zgjedhjeve duhet shmangur çdo ndryshim në ligjin zgjedhor duke i mbyllur çdo mundësi opozitës që kërkonte të rikthente modelin e koalicioneve ku secila parti garon me listën e saj të kandidatëve. Rekomandimi i ekspertëve të Venecias është i qartë.

“Për të shmangur çdo ndryshim të mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet.”

Ekspertët japin disa rekomandime që duhen zbatuar deri në 25 prill por asnjë prej tyre nuk zgjidh thelbin e konfliktit mazhorancë-opozitë, të cilat prej qershorit të këtij viti u përplasën për modelin e koalicioneve. Opozita shfrytëzoi si argument gjatë këtyre muajve faktin që kodi I praktikave të mira të Komisionit të Venecias shprehet kundër ndryshimeve të elementeve thelbësore të sistemit një vit para zgjedhjeve. Por argument i ekspertëve është se ndryshimi I koaliconit nuk është element thelbësor.

“Eshtë për tu pasur në vëmendje se, në 2017, rregulli për koalicionet nuk u aplikua pas marrëveshjes konsensuale politike, kështu që në praktikë asnjë ndryshim real nuk do të ndodhë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare.”

 

Venecia thekson se kushtetutshmerinë e ndryshimeve duhet ta vleresojë Gjykata Kushtetuese por ajo mbron ndryshimet në Kod.

“Shumica e ndryshimeve të 5 Tetorit në Kodin Zgjedhor janë teknike, në disa raste lidhen me gabimet teknike nga paketa e fundit e ndryshimeve në Kod. Këto ndryshime janë të arsyeshme pasi kryesisht reflektojnë ndryshimet e fundit kushtetuese dhe mund të kenë një ndikim pozitiv në proceset zgjedhore.”

Por ekspertët e Venecias dhe ODHIR nuk i kanë kursyer kritikat ndaj mazhorancës për shpejtësinë me të cilën miratoi ndryshimet në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor.

“Procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë ishte ekstremisht e nxituar. Procedura formale në Parlament ishte jashtëzakonisht e shkurtër (rreth një javë), dhe i gjithë procesi nga prezantimi i iniciativës deri tek miratimi i saj, zgjati një muaj.”

Ekspertët e Venecias i sjellin në vëmendje opozitës se duke djegur mandatet, humbi çdo mundësi për të ndikuar në hartimin e ligjeve, duke theksuar se pavarasësisht se Kuvendi ka 122 deputetë, funksionimi i tij nuk është problem në raport me standardet ndërkombëtare.

“Komisioni i Venecias dhe ODIHR nuk mund vecse të shprehin keqardhje që deputetët e opozitës braktisën Parlamentin duke hequr dorë nga pasja e cdo ndikimi politik mbi ndryshimet. “

Por ky është vetëm opinion paraprak i Venecias, të gjitha palët politike kanë kohë deri në 10 dhjetor kur miratohet dokumenti final të bindin ekspertët për ndryshime të mundshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *