Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzoi dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend të Ligjit 133/2020, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit”.

 

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka argumentuar paqëndrueshmërinë e arsyetimeve të Metës dhe ka kërkuar nga deputetët ta rrëzojnë dekretin. Sipas Lleshajt, Policia e Shtetit ka nevojë për atribute e kompetenca shtesë, pasi ndryshimet janë të stadit fillestar, krahasuar me ato të policive europiane.

 

“Në tekstin e paraqitur, shihet qartë përpjekja e Presidentit për të legjitimuar një konkluzion politik absurd që qeveria është kërcënim për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndaj organet e varësisë së saj nuk duhet të kenë kompetenca ligjore. Kjo është teza kryesore e gjithë artikulimit të Presidentit. Po të zbresim nga rrafshi parimor, politik, konkret, shohim qartë se të gjitha arsyetimet kundër dhënies së kompetencës për mbikëqyrje të veçantë vizuale Policisë së Shtetit në mjedise publike, mbështetet në një keqinterpretim skandaloz të neneve 221 dhe 222 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe në shtrembërimin e hapur të dispozitave të parashikuara në ligjin për Policinë e Shtetit, që është objekt i diskutimit të sotëm.

 

Për Lleshajn, kthimi i ligjit për Policinë e Shtetit nga Presidenti është tjetër akt me natyrë të mirëfilltë politike.

“E gjithë përpjekja për të justifikuar këtë akt është bazuar në fakte të pavërteta dhe në interpretime spekulative të tyre. Si rezultat i këtyre parashtrimeve ju ftoj që ta rrëzoni me votë dekretin e Presidentit të Republikës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *