Një ditë pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-kreu i PD, Sali Berisha u ka bërë apel të gjithë demokratëve se sot është koha për veprim. Berisha ka deklaruar se të gjithë ata që u rreshtuan kundër tij, e morën përgjigjen në Kuvendin e së shtunës, duke theksuar se i pret të gjithë demokratët në PD.

 

“Sot nuk është më koha e dyshimit, sot është koha e veprimit. Ju pres të gjithëve në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tona të përbashkëta, Partinë Demokratike, për të vazhduar betejën kundër të keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur.”

 

Në bazë të vendimeve të Kuvendit, i vetmi organ drejtues i PD që Sali Berisha dhe mbështetësit e tij njohin është Komisioni i Rithemelimit. Pikërisht ky komision ka reaguar sot kundër Lulzim Bashës dhe mbledhjes së Këshillit Kombëtar, duke sjellë në vëmendje se ai u shkarkua dje me 4.446 vota dhe nuk ka asnjë të drejtë të mbledhë forumet e PD.

 

Komisioni i Rithemelimit

“Ju njoftojmë se mbledhja e Këshillit Kombëtar  e thirrur nga deputeti Lulzim Basha është nul dhe e paligjshme. Ju bëjmë thirrje të bojkotoni mbledhjen dhe të mos bëheni pjesë e paligjshmërisë! Ju ftojmë gjithashtu të mos bëheni pjesë e përçarjes dhe përjashtimeve nga PD për karrigen e thyer të Lulzim Bashës.”

Komisioni i Rithemelimit e ka bërë të qartë se do t’i zhvillojë mbledhjet në selinë e PD;  por mbetet e paqartë si mund të qëndrojnë në seli dy rryma që e kanë shkarkuar njëra-tjetrën dhe nuk e njohin njëra-tjetrën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *