Të luash në Champions është një arritje e madhe në karrierë. Të kesh përball emra si Ronaldo dhe Messi edhe më shumë se kaq, një përkëdheli nga fati.

Po të shënosh ndaj Juventusit të Cristiano Ronaldo-s, në Torino cfarë do të thotë?

Vështirë që dikush që nuk është protagonist mund ta kuptoje një gjë të tillë, përvec atij, Myrto Uzunit, djaloshit shqiptar që të martën në mbrëmje duke shënuar në duelin Juventus-Ferencvarosh, grupi G i Champions League na bëri më krenar sesa kurrë.

Për Myrton, nuk ka dyshim që ky moment është kurorëzimi i një ëndërre, një objektiv që do të mbetet thellë në memorien e karrierës së tij futbollistike.

Por duke qënë se karriera e Uzunit nuk është ende në kulmin e vet, nuk po nxitojmë ta konsiderojmë golin kundër Juventusit si kulmin e karrierës.

Kjo edhe për një fakt të rëndësishëm.

Ky djalosh vazhdon ti befasojë të gjithë nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit.

E për këtë arsye, ku i dihet ndoshta momente edhe më të mëdha mund ti ketë rezervuar vetes në të ardhmen 25 vjecari nga Berati.

Ai që deri pak vite me parë ende aty, në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar mes Tomorrit dhe Apolonisë, ku spikaste për talentin e tij dhe dëshirën për ta shpërblyer sakrificen familjare, me punë, punë, punë dhe përulje.

Virtyte këto që nuk të tradhëtojne kurrë, dhe kjo u dëshmua edhe në shpërthimin e madh të Uzunit tek Laçi, klub që i dha mundësi talentit shqiptar që të bënte një kapërcim të rëndësishëm, atë të transferimit jashtë vendit. Një sfidë e madhe por e kaluar me shumë sukses tek Lokomotiva e Zagrebit, aty ku tregoi se asgjë e fituar në nivel personal në Shqipëri nuk kishte qënë rastësi.

Transferimi tek Ferencvarosh, një ekip që ka shpenzuar shumë para vitet e fundit për të ndërtuar një ekip të fortë, ishte si protagonist, i madh, kjo sepse e ndihmoi edhe me gola skuadrën e tij për tu kualifikuar në formë historike në fazën e grupeve të Champions.

E tani ja ku jemi, në një stad tjetër të karrierës, atë të shënimit të një goli në grupet e Champions, as më pak e as më shumë por kundër Juventusit!

Por jo vetëm kaq! Uzuni të mërkurën në Torino i mori të gjitha, çdo gjë, pa asnjë pishman!

E kam fjalën këtu për dy elemente të tjerë që kanë bërë xhiron e mediave italiane dhe atyre europiane.

I pari, festimi si Cristiano Ronaldo, në sy të atij të cilën e ka pasur idhull në vegjëli!

Aspak karshillëk e mungesë respekti, përkundrazi për ata që e njohin edhe nga afër, tregues sesa shumë Myrto e dashuron futbollistin që ka bërë historine e futbollit botëror.

Dhe tjetra, fanela e “CR7”.

Përulja e madhe për ti marrë fanelën njeriut që ka udhëhequr ëndërrat e fëmijërisë, stampon përjetësisht këto momente të paharrueshme!

Nota 7 nga mediat e mëdha sportive në Itali për golin dhe ndeshjen që zhvilloi ( një nga notat më të larta të mbrëmjes).

Nota 10 për Myrton, si shembull frymëzimi edhe për të tjerët, si tregues që asgjë nuk është e pamundur në jetë!

Në 2008 kur Ronaldo fitonte Topin e parë të Artë si dhe Uefa Champions League me Manchester United, në Berat një djalosh 13 vjeçar, luante me shokët e lagjes dhe të stërvitjes, shpesh herë duke mbajtur fanelën e idhullit të tij, Cristiano Ronaldo, pa e imagjinuar as në ëndërrat më të gjata që një ditë, fanelën e Ronaldos do ta shkëmbente në fushën e lojës!

Sa e bukur është jeta!

Ervin Sina/ Gazetar-Komentator 

Leave a Reply

Your email address will not be published.