Pogradeci mbetet frymëzim për piktorët, përfshire edhe ata që vijnë nga vende të huaja. Prej 12 viteve tashmë, ata janë pjese e Kolonisë Ndërkombëtare te Artit figurativ “Pogradec 21”.
Dhjetëra piktorë nga Ballkani dhe Europa kanë qëndruar në qytetin liqenor, duke hedhur në telajo punime të ndryshme të frymëzuara nga peizazhi.
JELENA VUSUROVIÇ
PIKTORE NGA MALI I ZI
“Është hera ime e dytë që jam këtu. Jam shumë e lumtur. E adhuroj qytetin dhe kam kaluar ditë të mrekullueshme dhe do vij sërish. Është piktura ime e dytë që bëj në Pogradec. Do kthehem sërish.”
LINA OGAILY
PIKTORE NGA ANGLIA
“Njerëz shumë të mirë. Shumë talente, shumë piktura interesante. Një eksperiencë e ndërthurur me stile te ndryshme të artit figurativ. Kam qenë edhe më herët në Pogradec dhe është një nga qytetet e mia të preferuar këtu në Shqipëri.”
MARJANA GOXHABELLIU
PIKTORE NGA DURRËSI
“Është edicioni i 12 për mua që vij në Pogradec. Është një nga qytetet e mia të preferuara.”
Për organizatorin Sajmir Ahmeti, koloni të tilla jo vetëm që promovojnë artin dhe kulturën, por shërbejnë edhe si shkëmbim eksperiencash për artistët, nga ana tjetër krijojnë një fond mjaft të pasur për galerinë e Pogradecit.
SAJMIR AHMETI
ORGANIZATOR
“Artistët pjesëmarrës janë nga të gjithë vendet e Ballkanit, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Por ka edhe artistë nga larg.”
ERITAN KAMOLLI
DREJTOR I QENDRËS KULTURORE, POGRADEC
“Është edicioni i 12 i Kolonisë Pogradec Art 2021. Është një aktivitet i artit figurativ i cili zhvillohet për të 12 vit rresht dhe bashkia prej disa vitesh e mbështet këtë aktivitet. Ka filluar në datën 3 shtator, do vazhdojë deri në datën 10. Sot finalizohet me ekspozitën. Janë rreth 25 punime që piktoret kanë bërë gjatë gjithë qëndrimit në qytetin tonë. Janë piktura shumë të mira.”
Kolonia u përmbyll me një ekspozitë të përbashkët nga piktorët, ndërsa një prej punimeve ata e dhuruan për fondin e Galerisë së Pogradecit.