Subscribe

Koncesioni i kolaudimit të automjeteve është drejt përfundimit të afatit zyrtar. Shtatori shënon zyrtarisht afatin e fundit që ky koncesion 10 vjeçar të administrohet nga kompania SGS Albania. Por çfarë pritet të ndodhë më tej?

 

Ministria e Transportit nuk ka një vendim nëse do të shtyjë më tej afati. Por duke ju referuar kontratës, në të është parashikuar se nëse ka një marrëveshje mes palëve, atëherë për këtë koncesion mund të ketë një zgjatje të periudhës.

 

Nëse i referohemi kontratës së nënshkruar në 2009-en, në të është parashikuar se nëse nuk ka një marrëveshje për të zgjatur këtë koncesion, 6 muaj para përfundimit të afatit, shteti nis të marrë në dorëzim asetet e kompanisë së bashku me investimet e reja të kryera.

 

Ky proces nis pas një inspektimi të përbashkët mes autoritetit kontraktues dhe koncesionarit.

 

Zyrtarisht një procedurë e tillë nuk ka nisur edhe pse jemi tre muaj nga përfundimi i afatit, çka ngre pikëpyetjet për një zgjatje të mundshme të periudhës së menaxhimit nga ana e kompanisë private.

 

Koncesioni i kolaudimit të automjeteve ka qenë një prej kontratave më të debatueshme. Në 10 vite të operimit të koncesionarit nga vlerësimet edhe të Ministrisë nuk ka patur përmirësim në ofrimin e shërbimeve. Përkundrazi shërbimi është ofruar me kosto edhe më të larta.

 

Ndonëse në kontratë është parashikuar që koncesionari do të ofronte sportele të lëvizshme të kontrollit të automjeteve, ato nuk janë realizuar, çka ka bërë që shërbimi të ofrohet duke krijuar radhë ta gjata në pikat e kolaudimit. Për këtë fakt kompania u gjobit nga autoriteti konkurrencës me 51milione lekë gjobë, për abuzim me pozitën monopol në treg. Tashmë i mbetet qeverisë të vendosë në do të liberalizojë tregun apo të vijojmë më situatën monopol në ofrimin e këtij shërbimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *