Këta dy artistë të vegjël janë motër e vëlla. Ashtu sikurse çdo vit edhe këtë fundsezoni artistik e shkollor, ata nuk harrojnë të përcjellin pak art së bashku. Kodi i tingujve ishte koncerti pianistik që bëri bashkë Ami dhe Johan Mukën në Ministrinë e Kulturës. Ata kanë përcjellë për të pranishmit një program që niste me veprat më të njohura të Bethoven e Moxart, për të vijuar me hitet me të njohura të momentit si “Say something” apo “Let her go”. Edhe pse mësojnë në shkolla të përgjithshme dhe joartistike, ata kanë vite që marrin mësime pianoje. Johani numëron tanimë 11 vite në piano, ndërsa Ami, që aktualisht është në klasën e gjashtë ka nisur të luajë piano që në klasën e parë. Ajo është vlerësuar dy herë me çmim të parë në konkurset “Duete pianistike” dhe “Pianisti i ri”. Kodi i tingujve është koncerti i tretë recital i Ami dhe Johan Muka. Performanca e tyre e parë ishte në vitin 2013, një koncert dedikuar fëmijëve të familjeve të ushtarakëve me mision jashtë vendit.