Subscribe

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e cilësoi reformën në drejtësi edhe si një mjet efikas, për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Në ceremoninë e nisjes së kontingjentit të 3 të forcës detare në detin Egje për planin e NATO-s kundër emigracionit të paligjshëm, Kodheli tha se reforma merr rëndësinë parësore në vendosjen e sundimit të ligjit.

 

“Reforma në drejtësi merr rëndësi parësore për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të vendosur sundimin e ligjit në gjithçka që lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo do të jetë edhe një mjet efikas në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Reforma në drejtësi do t’i shërbejë ecurisë se reformave në fusha të tjera, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike dhe shoqërore, pasi, forcimi i shtetit ligjor është një nga shtyllat kryesore të demokracisë”.

 

Kodheli akuzoi opozitën, e cila sipas saj, po pengon zbatimin e reformës duke risjellë në vëmendje dhe tragjedinë e Gërdecit.

 

“Muaji mars sjell gjithnjë kujtime të hidhura për të gjithë ne, e në mënyrë të veçantë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Marsi i vitit 1997 shkërmoqi plotësisht strukturat tona ushtarake, sipas një skenari të qartë dashakeqës për të mbrojtur me çdo kusht pushtetin e një individi, i cili urdhëroi makabritetet që asnjë udhëheqës europian nuk ia ka bërë vendit të tij. E prapë, në marsin e 2008, po e njëjta klikë përmes abuzimit me pushtetin dhe me pasuritë publike, hodhi në erë një fshat të tërë, duke shkaktuar 26 të vdekur, qindra të plagosur e prona private të shkatërruara. Nga babëzia për të përfituar nga arsenali ushtarak i Forcave të Armatosura. Nga parimi i tyre i përhershëm se familja është mbi shoqërinë, individi mbi vlerat sociale. Vranë, vodhën dhe gënjyen. Edhe u fshehën pas procedurës. I kemi sot mes nesh, të lirë. Janë po këta njerëz që sot, që të angazhuar me të gjithë forcat, pengojnë reformën në drejtësi, kushtin e vetëm për hapjen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian. Pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe evropiane”.

 

Ministrja e mbrojtjes siguroi se Angazhimi i qeverisë do të bëjë që reforma të kthehet edhe si mjet për të çrrënjosur përfundimisht kulturën e pandëshkueshmërisë si dhe për të kthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *