Kreu i Komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar shkelje të rëndë të ligjit përmbajtjen e logos së PD zyrtare në koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Alibeaj shprehet se përdorimi i siglës dhe emrit të PD në një dokument zyrtar përbën vepër penale.

 

“Depozitimi në KQZ për regjistrimin e koalicionit “Bashkë fitojmë” përmban një shkelje të rëndë lidhur me përdorimin e siglës dhe emrit të PD. Ky përdorim, i shkruar në një dokument zyrtar që ndodhet aktualisht në KQZ, është në kufijtë e një vepre penale”, shkruan Alibeaj.

 

Alibeaj i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të marrë masa për këtë procedurë që e ka cilësuar si të paligjshme.

 

“PDSH nuk është regjistruar ende në KQZ, kjo falë tifozërisë politike të drejtuesit të saj. Në cilësinë si kryekomisioner, Celibashi duhet të marrë masa urgjente për të shmangur regjistrimin e një koalicioni që përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD”, deklaron ai.

 

Alibeaj rikujton betejën ligjore në KAS për regjistrimin e PD në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe shton se përdorimi i logos është mashtrim për zgjedhësit.

 

“Partia Demokratike mbetet në pritje të vendimit të nesërm të KAS. Çdo përdorim juridik në KQZ apo në institucione të tjera i emrit, siglës apo logos së saj është shkelje e Kodit Zgjedhor dhe mashtrim për zgjedhesit”, përfundon ai.

 

Sali Berisha firmosi këtë të mërkurë koalicionin me Partinë e Lirisë, të drejtuar nga Ilir Meta dhe përfaqësuesve të dy partive të tjera opozitare që iu bashkuan thirrjes për bashkim, PDK dhe PBDNJ.

 

Në dokumentin e dorëzuar në KQZ, Berisha ka nënshkruan nën logon e PD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *