Klotilda Bushka 4 orë në SPAK, pyetet për çështjen “Veliaj”. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve: Nuk kam asnjë koment!

Për katër orë rresht Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u pyet nga SPAK për hetimet që kjo prokurori po bën ndaj saj.
Sipas dosjes që çoi pas hekurave Erion Veliajn, deputetja socialiste, Bushka dyshohet të ketë orientuar dhe intimiduar dëshmitarët që kishte thirrur prokuroria antikorrupsion.
Për mediat ajo refuzoi të flasë.
“Nuk kam asnjë koment”, u shpreh Bushka.
Në dosje thuhet se Bushka së bashku me Ajola Xoxën, i asgjësoi dëshmitares Ina Goxhaj celularin brenda shtëpisë së prindërve të deputetes socialiste.
Në 10 shkurt, SPAK njoftoi zyrtarisht se për këto arsye po e heton kryetaren e komisionit të ligjeve nën dyshimet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Dy ditë më pas, në një mbledhje të grupit parlamentar socialist, Bushka hodhi poshtë akuzat e SPAK dhe tregoi se Erion Veliajn e ka shok fëmijërie, ndërsa me gruan e tij, ka marrëdhënie përpara së te bëhej deputete.
“Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën por kam bashkëpunuar me të edhe para se të bëhesha deputete dhe ky është një fakt i ditur. Erjon Veliaj është miku im i fëmijërisë”, deklaroi ajo.
Në bashkëpunim, Veliaj, dyshohet se ka kryer korrupsion e pastrim parash, duke i vënë në dispozicion fondet e Bashkisë gruas së tij. Kjo e fundit akuzohet edhe mosdeklarim të ardhurash.
/vizionplus.tv




