Subscribe

Shokët e Klodian Rashës treguan për mediat se 25-vjeçari ishte me ta deri në orën 11 të darkës. Ata mohuan që i riu të ketë patur armë me vete, madje theksuan se ai ishte një njeri që i urrente armët.

 

Sipas shokëve, Klodian Rasha nuk kishte konflikte e probleme me askënd dhe arma nuk i nevojitej. Ata shtuan më tej se 25-vjeçari ka dalë në mesnatë jashtë shtëpisë për të blerë cigare, moment kur edhe është pikasur nga policia.

 

“Klodianin e kemi patur shok për 20 vjet, ka qenë një njeri që ka gëzuar respektin e çdo njeriu që të paktën e ka takuar një herë në jetë. Natën që ndodhi ngjarja Klodiani ka qenë me ne, me shokët e tij deri në orën 11 të natës. Aq sa jam unë tani i armatosur, aq ka qenë edhe Klodiani. Nuk ka patur kurrë armë në jetën e tij sepse nuk ka patur probleme në jetën e tij. Familja e di më mirë që ai as në shtëpi, as në lagje, nuk ka patur armë. Ka qenë njeri që i respektonte të gjithë dhe e respektonin të gjithë. Doli jashtë orarit për të blerë cigare në një kioskë që rri 24 orë hapur tek “Don Bosko”. Ai nuk ka mbajtur kurrë armë. Ka qenë natyrë shumë e qetë, që i respektonte njerëzit. Ka qenë njeri që i urrente armët.”

 

Nga ana tjetër, shokët pretendojnë se arma që u gjet 100 metra larg vendit të ngjarjes është sajuar nga policia për të mbrojtur efektivin.

 

“Veprimin e policisë e konsideroj të paligjshëm sepse brenda një kohe të shkurtër janë dhënë tri njoftime të ndryshme, është arrestuar, ka bërë aksident dhe është vrarë. Është skenë e sajuar nga vetë policia, për të mbuluar punonjësit e policisë.”

 

Klodian Rasha mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të të martës nga një efektiv policie. Ky i fundit, sipas njoftimit të policisë, qëlloi sepse Rasha kishte kërcënuar me armë dhe nuk i ishte bindur urdhrit për të ndaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *