Këshilli Kombëtar i Territorit diskutoi dhe miratoi, pasditen e së martës, vendimin për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorrit. Sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Tomorrit ishte rreth 24 mijë e 800 ha dhe u zgjerua me rreth 1.400 ha, duke shkuar mbi 26 mijë ha.

 

Pak përpara nisjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, ministri Klosi bëri një deklaratë për mediat, duke theksuar: “Jemi para vendimit të Këshillit Kombëtar të rregullimit të Territorit, në fakt për të korrigjuar një gabim që do të thoja ka plot gjëra korruptive në të. Vendimi i  Sali Berishës në 2012 kur ka shpallur zonë të mbrojtur malin e Tomorrit  ka përjashtuar në mënyrë abuzive këtë zonë, e cila më pastaj u krijua si gangrenë, për të gjithë zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, ku na kërkohet tashmë të rikuperojmë një gabim që nëqoftëse 7 vite më parë do ishte bërë në mënyrë të ndershme nga specialistë apo nga politika e asaj kohe, sot do të kishim një zonë të mbrojtur, një mal me vlera të mëdha ekonomike, nëqoftëse gurorët nuk do të funksionojnë”.

 

Pas rrëzimit të vendimit të qeverisë për zgjerimin e Parkut nga ana e Gjykatës së Apelit Administrativ, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura organizuan 3 takime konsultative.

 

Takimi i parë u zhvillua me pushtetin lokal dhe komunitetin e zonës, të cilët ishin Pro, zgjerimit të sipërfaqes së parkut dhe nisma për nënshkrimin e një peticioni nga të rinjtë e “Smile Albania”, që vijon të firmoset nga banorë të Beratit, pushues dhe turistë.

 

Më pas u ndërmor një takim konsultativ, ku morën pjesë pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe të Fakultetit të Shkencave Pyjore, ekspertë kombëtar të fushës, si dhe përfaqësues të shoqatave, të Mjedisit, të cilët dhanë argumentat e tyre shkencore Pro zgjerimit të Parkut, me qëllim ruajtjen e habitateve të llojeve endemike të zonës.

 

Takimi i tretë u bë me subjektet private, që punojnë në zonë, të cilave leja mjedisore ju jepet me detyrimin për rivitalizimin e zonës së dëmtuar nga punimet për nxjerrjen e mermerit, duke e pyllëzuar zonën e dëmtuar. Duke qenë se kushtet e lejes mjedisore nuk janë plotësuar, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit jua ka hequr këtë leje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *