Ministrja e Kulturës Elva Margariti që ka inspektuar disa monumente kulture në zonën e Korçës ka mbetur e mahnitur nga vizita në kishën e Shën Ristozit të Mborjes.

 

‘Sa herë që vizitoj Kishën e Ristozit, po aq herë më mahnit mënyra e ndërtimit, simbolika e afreskeve, intimiteti që ofrojnë ambientet e brendshme e të jashtme’ ka thënë Margariti.

 

Ajo ka mbetur e kënaqur me punimet që janë realizuar për rikonstruksionin e saj, me një fond prej rreth 3,9 milionë lekësh, nga buxheti i shtetit.

 

 ‘Besimtarët janë rikthyer sërish aty dhe do të doja të tregoheshin më të kujdesshëm në çdo qiri që ndezin e vezë Pashke që thyejnë mureve, me qëllim që ky monument i rrallë t’u përcillet edhe brezave të ardhshëm’ apeloi ministrja e kulturës.

 

Kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, e cila bën pjesë në variantin e kishave në formë kryqi të brendashkruar me kupolë, pa mbështetje të brendshme, datohet në fund të shek. XIV. Mbishkrimi mbi portën perëndimore të naosit na njeh me kohën e ndërtimit dhe pikturimit të kishës në vitin 1389, me porosinë e peshkop Nimfonit.

 

Brendësia e naosit është e zbukuruar me afreske të një cilësie mjaft të lartë artistike, që i përkasin rrymës së Renesansës Paleologe. Me afreske është veshur dhe faqja e jashtme e murit perëndimor, të cilat i përkasin një faze të dytë më të vonshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *