Kisha e Shën Gjergjit në Shipskë monument kulture e shekulli XVIII

Kisha e Shën Gjergjit në Shipskë, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, daton që nga shekulli XVIII.
Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kombëtare, ky objekt kulti është në gjendje të mirëmbajtur. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi, hajati, këmbanarja dhe një ndërtim i vonë që i bashkangjitet ndërtesës në anën jugore dhe që ka shërbyer si faltore.
Tri pjesët e para : naosi, narteksi dhe hajati janë të vendosura njëra pas tjetrës, gjatë aksit gjatësor lindje-perendim. Në anën perëndimore shtrihet hajati, i cili del tej mureve perimetrale të kishës. Ai është i hapur me nje varg kolonash të ulëta e të trasha, me bazamente e kapitele.
Në anën jugore kishës i është bashkangjitur në një kohë më të vonë një faltore e vogël, e pajisur me një tavan dërrase. Kisha “Shën Gjergji”, Shipskë, Korçë, feston sot mbasdite dhe nesër paradite. Për vetë emrin e shenjtorit që mban kisha, në të kremtohet në datë 23 prill Shën Gjergji.
Sa herë që kjo datë qëllon brenda periudhës së Kreshmës së Madhe (periudhë jo festive), atëherë kremtimi i tij zhvendoset të Hënën pas Pashkës, pra të Hënën e Ndritshme. I njëjti rregull ndiqet edhe për kremtimin e Apostull Markut, që kremtohet në datë 25 prill dhe zhvendoset të Martën pas Pashkës, pra të Martën e Ndritshme.




