Shtetet e Bashkuara të Amerikës bene te ditur se të hënën e ardhme, do të vendoset për sanksionet e reja ndaj Koresë se Veriut, pas testimit të bombës së gjashtë bërthamore. Vendimi do te përfshijë gjithashtu, heqjen e kufizimeve ndaj Koresë së Jugut për kapacitetin e raketave.

 

Presidenti Donald Trump e cilësoi testimin e bombës me hidrogjen, si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj SHBA-se, çka mund të sjellë një reagim masiv ushtarak. Trump tha se po shqyrton një sërë opsionesh, përfshirë edhe ndërprerjen e tregtisë me vendet që bëjnë biznes me Korenë e Veriut, madje edhe me Kinën. Mirëpo një gjë e tillë ka shkaktuar reagimin e ashpër të zyrtarëve kinezë.

 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, e cilësoi si të papranueshme që vendi i tij punon për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe nga ana tjetër, rrezikon interesat e tij nga sanksionet. Në një bisedë të gjatë telefonike, mes Donald Trump dhe presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in, dy udhëheqësit diskutuan që të marrin në konsideratë mundësinë e bllokimit të dërgesave me naftë në Veri.

 

Presidenti Moon ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Ky i fundit ka ritheksuar edhe një herë se Rusia këmbëngul për zgjidhjen e krizës në gadishullin Korean përmes bisedimeve. Sipas ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë këtë javë një projekt-rezolutë lidhur me Korenë e Veriut, e cila do të hidhet në votë më 11 shtator.

 

Gjatë sesionit urgjent të Këshillit të Sigurimit të mbajtur në Nju Jork, Haley tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut po lutet që të shpërthejë lufta. Sipas saj Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë, por durimit i ka ardhur fundi. Ndërkohë,flota e Koresë së Jugut kreu një sërë stërvitjesh në det një ditë më parë duke paralajmëruar se nëse Veriu do t’i provokojë, ata do të përgjigjen me kundërsulm. Raportimet e fundit njoftojnë se Peniani po përgatitet për lëshime të tjera raketash.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *