Kina njoftoi të premten se do t’i bashkangjitet nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpërndarë vaksina kundër koronavirusit në botën në zhvillim.

Kina së bashku me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara kishin thënë më parë se nuk do të përfshiheshin në këtë nismë që u krijua për të ndihmuar për vaksinimin brenda 2022 të dy të tretave të popullatës së botës.

Me ndryshimin e qëndrimit, Kina bëhet tani vendi më i madh që merr pjesë në nismën e njohur si COVAX.

Më shumë se 36.5 milionë vetë janë infektuar me koronavirus në shkallë globale, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.

Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili kryesojnë me numër të infektuarish dhe viktima nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë në Indi njoftoi 70,000 raste të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar në mbi 1 milion numrin e të infektuarve në këtë vend, ku janë regjistruar mbi 106,000 të vdekur. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 7.6 milionë të infektuar dhe mbi 212,000 të vdekur, ndërsa Brazili ka regjistruar mbi 5 milionë të infektuar, dhe afro 149,000 viktima./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *