Pas një nate të tensionuar protestash në Hong Kong, një zyrtar i qeverisë kineze u bëri thirrje njerëzve në Hong Kong të kundërshtojnë dhunën dhe akuzoi disa politikanë perëndimorë se po nxisin trazirat.

 

Zëdhënës i Zyrës së Kinës për Hong-Kongun Yang Guang ka thënë se banorët e Hong Kongut nuk kuptojnë ligjin apo sistemin ligjor dhe gjyqësor.

 

“Ndërsa pak banorë të Hong Kongut dinë për situatën në kontinent dhe për sistemin e tij ligjor dhe gjyqësor, ata mund të kenë dyshime për amendamentet e propozuara. Kështu, disa individë dhe organizata mediash me motive të tjera kanë shfrytëzuar dyshimet e publikut për të ngjallur panik dhe për të penguar miratimin e projektligjit”.

 

Komentet u bënë pas një nate të tensionuar në Hong Kong, ku protestuesit u derdhën në rrugët e qytetit dhe sfiduan forcat speciale të policisë, të cilat për orë të tëra godisnin me plumba gome dhe gaz lotsjellës.

 

Ndërsa vazhdonte beteja, policia intensifikoi përdorimin e gazit lotsjellës për të mos lejuar që njerëzit të arrinin pranë zyrës ndërlidhëse të Pekinit, godinë e cila u vandalizua një javë më parë.

 

Shumë protestues thanë se ishin të vendosur të vazhdojnë ta sfidojnë qeverinë që ka shtypur marshimet paqësore. Ata bëjnë thirrje për zgjedhje demokratike dhe për një hetim të pavarur të taktikave të përdorura nga policia.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *