Subscribe

Pak më shumë se një muaj nga krijimi i qeverisë “Rama 3” dhe kur Lulzim Bashës i është kërkuar të distancohet nga ish-kryeministri Sali Berisha i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim i kërkon liderëve politikë të reflektojnë për vendimmarrjet që do të ndërmarrin me fillimin e jetës parlamentare në shtator.

 

Përmes një letre drejtuar atyre, diplomatja amerikane shkruan se gushti duhet të shërbejë si muaj reflektimi në të mirë të demokracisë së Shqipërisë

 

“Është koha që udhëheqësit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Është koha për udhëheqësit që të tregoni kush jeni dhe çfarë mendoni se meriton ky vend. Është koha për të udhëhequr. Për një kohë tepër të gjatë, korrupsioni është përdorur si armë nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë për të blerë politikanë, për të fituar kontrata, dhe për të ndërhyrë në proceset demokratike. Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë përmes fjalëve dhe veprimeve të tyre se lufta kundër korrupsionit është një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Duam një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë. Duam një partner, jo një problem.”

 

Rikthimin e opozitës në parlament, Yuri Kim e vlerëson si një ngjarje me rëndësi kritike, veçmas në përpjekjet që do të bëjnë socialistët dhe demokratët në reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR në reformën zgjedhore.

 

“Siç vërejti ODIHR në raportin e tij përfundimtar, zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura dhe Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi që të punojnë me shumicën dhe opozitën në parlament për të trajtuar problemet e përsëritura në zgjedhje teksa ato angazhohen në punë serioze dhe ndërpartiake për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të plotësojnë standardet më të larta.”

 

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shkruan ambasadorja amerikane do të varet shumë nga zgjedhjet që do të bëjnë drejtuesit e vendit. Për këtë arsye, para se deputetët e zgjedhur nga vota e 25 prillit të votëbesohen në parlament, Yuri Kim do t’u drejtohet me një kërkesë kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

 

“Do të kërkoj që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Shpresojmë që udhëheqësit e Shqipërisë – ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë – po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë.”

 

Letrën e saj, Yuri Kim e mbyll me një kërkesë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një aleat të fortë dhe të aftë dhe jo një aleat me probleme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *