Udhëheqësi i Koresë së veriut, Kim Jong Un ka takuar dje në Pekin presidentin kinez Xi Jinping. Ky ka qenë një takim surprizë dhe i pari jashtë vendit për liderin koreano verior, qëkurse ka marrë detyrën në vitin 2011.

 

Agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua, ka raportuar se në fokus të bisedimeve kanë qënë zhvillimet e fundit politike, takimi me Presidentin koreano-jugor, Moon Jae-in në prill, takimi me presidentin Trump në muajin maj si dhe programi bërthamor.

 

“Çështja e denuklearizimit të Gadishullit Korean mund të zgjidhet, nëse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara u përgjigjen përpjekjeve tona me vullnet të mirë dhe krijojnë atmosferë të paqes dhe stabilitetit”, raportohet të ketë thënë Kim Jong Un.

 

Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut. Vizita në Pekin, konsiderohet si një hap domethënës në përgatitjet e vendit komunist për bisedimet e propozuara.

 

Vizita përfaqëson një ndryshim mahnitës për Kim, i cili duket se është në kërkim të një zgjidhjeje paqësore të krizës në Gadishullin Korean. Një kontrast i thellë me vitin 2017, kur Kim mbikëqyrte një varg testesh raketore dhe bërthamore që tërhoqën zemërimin e bashkësisë ndërkombëtare.

 

Të martën presidenti Xi Jinping e informoi presidentin Trump për vizitën e Kim Jong Un në Pekin. Më pas Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një komunikate, tha se e shikon këtë zhvillim si dëshmi se fushata e trysnisë maksimale po krijon atmosferë të përshtatshme për dialog me Korenë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *