Kievi thotë se ushtarët e Koresë së Veriut janë tërhequr nga fronti i Kurskut

Ukraina beson se trupat e Koresë së Veriut të dislokuara në rajonin rus të Kurskut janë “tërhequr” për shkak të humbjeve të mëdha të pësuara nga ushtria ukrainase, tha sot një zëdhënës i ushtrisë së Kievit për AFP.
“Gjatë tre javëve të fundit, ne nuk kemi parë apo zbuluar ndonjë aktivitet apo konfrontim të armatosur me koreano-veriorët. “Prandaj ne besojmë se ata janë tërhequr për shkak të humbjeve të rënda që kanë pësuar,” tha koloneli Oleksandr Kintratenko, një zëdhënës i forcave speciale ukrainase.
Kremlini sot nuk pranoi të komentojë mbi raportet se humbjet e mëdha detyruan tërheqjen e ushtarëve të Koresë së Veriut.
I pyetur nga AFP në një konferencë në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të komentojë.
New York Times, duke cituar burime të paidentifikuara amerikane dhe ukrainase, theksoi në një raport të enjten se ushtarët e Koresë së Veriut nuk janë shfaqur në vijën e frontit në dy javët e fundit.
Seuli, Kievi dhe Uashingtoni pretendojnë se që nga tetori i kaluar, Koreja e Veriut ka dislokuar rreth 11,000 trupa në rajonin e Kurskut për të ndihmuar në rimarrjen e territorit nën kontrollin ukrainas pas sulmit të papritur të ushtrisë ukrainase në gusht./vizionplus.tv




