Vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski i bëri një lutje emocionale Kongresit amerikan për më shumë ndihmë ushtarake, Presidenti Joe Biden njoftoi një gamë të gjerë armësh dhe pajisjesh që Amerika do të sigurojë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga sulmi rus.

 

Paketa e re e ndihmës prej 800 milionë dollarësh përqendrohet në armët që ushtria ukrainase i ka përdorur tashmë në mënyrë efektive kundër rusëve. Kjo përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore që nevojiten urgjentisht për të mbrojtur qytetet nga breshëria e raketave që lëshohen nga forcat ruse.

 

Një element kyç i kësaj ishte zotimi i presidentit Biden për të ndihmuar Ukrainën të sigurojë sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi që nuk prodhohen në Amerikë, një referencë e mundshme për sistemin raketor S-300 të prodhuar nga Rusia ose sisteme të ngjashme të raketave tokë-ajër që zotërojnë vendet e tjera të NATO-s në Evropën Lindore. Sisteme të tilla janë shumë efektive dhe mund të rrëzojnë avionët luftarakë dhe të interceptojnë raketat balistike.

 

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do t’u sigurojë ukrainasve sisteme që ata dinë t’i përdorin, për të cilat ata tashmë janë të trajnuar dhe të përgatitur për t’i përdorur dhe që po i përdorin me efektshmëri. Ato përfshijnë sistemet e mbrojtjes ajrore që aleatët dhe partnerët zotërojnë dhe mund të jenë të gatshëm t’i dërgojnë në Ukrainë, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të shkojë në Sllovaki të enjten dhe pritet të diskutojë këtë çështje me zyrtarët atij vendi.

 

Jashtë listës mbeten dy gjëra që zoti Zelenski i ka kërkuar vazhdimisht, por SHBA-ja dhe NATO-ja i kanë refuzuar me vendosmëri: avionët luftarakë MiG-29 të prodhuar nga Rusia dhe krijimi i një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. Perëndimi beson se përfshirja e njërës prej tyre mund të shkaktojë një luftë më të gjerë me Rusinë.

 

Stephen Biddle, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias, tha se megjithëse ekziston një rrezik nga dërgimi i armëve në Ukrainë, ai është më i vogël sesa ai që do të shkaktohej nga përdorimi i territorit të NATO-s për dërgimin e avionëve luftarakë MiG-29 në Ukrainë ose ai vendosjes së një zone ndalim-fluturimi. Ai vuri në dukje se Gjermania nuk i sulmoi Shtetet e Bashkuara për të parandaluar dërgimin e tankeve, bombarduesve dhe armëve të tjera në Britani në kuadër të programit “Lend Lease” në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

 

“Asgjë në lidhje me luftën në Ukrainë nuk është pa rrezik – çështja tani është balancimi i rreziqeve që nuk mund të shmangen”, tha zoti Biddle. “Sa më vdekjeprurëse të jenë armët që ne i transferojmë, aq më i madh është rreziku, por ka rrezik edhe nga lejimi i shtypjes së Ukrainës nga Putini”, shtoi ai.

 

Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo është lista e ndihmës ushtarake që Shtetet e Bashkua do t’i japin Ukrainës:

 

ARMËT DHE PAJISJET E PREMTUARA

 

— 800 sisteme kundërajrore “Stinger”

 

— 2000 raketa tokë-ajër “Javelin”, të cilat mund të lëshohen me raketahedhës që mund të vendoset në shpatullat e një ushtari

 

— 1000 armë të lehta kundër automjeteve ushtarake të blinduara

 

— 6000 armë portative antitank “AT-4”

 

— 100 sisteme taktike pa pilot, dronë të vegjël, të ashtuquajtur kamikaz, që shpërthejnë gjatë përplasjes me një objekt tjetër

 

— 100 granatahedhës

 

— 5000 pushkë, 1000 pistoleta, 400 mitralozë dhe 400 “shotguns”

 

— Më shumë se 20 milionë fishekë të armëve të lehta, granatahedhës dhe mortaja

 

— 25,000 jelekë anti-plumb dhe helmeta.

 

PAJISJET USHTARAKE TASHME TE DORGUARA OSE TE PREMTUARA

 

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë dhënë ose i kanë premtuar 1.2 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë Ukrainë. Kjo përfshin:

 

— Mbi 600 sisteme kundërajrore “Stinger”

 

— Rreth 2600 sisteme anti-tank “Javelin”

 

– Pesë helikopterë “Mi-17”

 

– Tre varka patrullimi

 

— Katër radarë gjurmues kundër artilerisë dhe sistemeve ajrore pa pilot

 

— Katër sisteme radari kundër mortajave

 

— 200 granatahedhës dhe municione

 

— 200 “shotguns” dhe 200 mitralozë

 

– Gati 40 milionë fishekë të armëve të vogla dhe mbi 1 milion granata, mortaja dhe fishekë artilerie

 

— 70 automjete ushtarke “HMMWV” dhe automjete të tjera

 

— Pajisje të komunikimit të sigurt, sisteme zbulimi të luftës elektronike, jelekë anti-plumb, helmeta dhe pajisje të tjera taktike

 

— Pajisje mjekësore ushtarake për të mbështetur trajtimin dhe evakuimin në betejë

 

— Pajisje për asgjësimin dhe çaktivizimin e mjeteve shpërthyese

 

— Pajisje për analizimin e imazheve satelitore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *