Subscribe

Jo vetëm pastrim, por edhe riciklim. Kjo është detyra që kryeministri Edi Rama la për të gjithë kryetarët e bashkive dhe autoritetet e tjera përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve urbane gjatë një forumi të organizuar për këtë qëllim.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

 

“Objektivi tashmë është kalimi në një fazë tjetër duke marrë shembullin e më të mirë. Të gjithë bashkitë  nuk duhet të mjaftohen më me  pastrimin por edhe me riciklimin. Janë bërë ndryshime të mëdha në këtë drejtim nga disa bashki. Është koha të kuptojnë që nuk mund të qëndrojnë në pozicionin që pastrojnë, por duhet të futen edhe në riciklim, edhe në kompostim, qoftë në qytet, qoftë në fshat. E njëjta gjë për të gjithë të tjerët.”

 

Duke u kthyer pas në kohë, Edi Rama tha se para vitit 2013 plehrat mbushnin rrugët, ndërsa sot, sipas tij, 90% e mbetjeve grumbullohen dhe mirëmenaxhohen, por vetëm 15% e tyre riciklohen.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

 

“Kur ne e nisëm këtë rrugëtim 50% e mbetjeve mbeteshin rrugëve, i merrnin ujërat, digjeshin shumë pranë zonave të banuara. Banorët e Kombinatit në Tiranë, ato të Elbasanit dhe Fierit, ku sot situata është krejtësisht tjetër, besoj e kujtojnë akoma se çfarë ndodhte në zonat e tyre me malin e plehrave që sillte në çdo dritare ajrin e ndotur dhe toksik. Banorët e Durrësit e kujtojnë, por fatkeqësisht kanë mbetur në vëmendje edhe të të huajve që e kanë parë në lajmet e vendeve të tyre, fushën e mbushur me vargmale plehrash në Porto Romano. Që sot është një prej parqeve më të mëdha në vend. Sot ne jemi në 90% të grumbullimit dhe kemi akoma një sasi relativisht të vogël që mbetet e pa grumbulluar, por që duhet trajtuar si problem i madh edhe pse është e vogël.”

 

Disa bashki për kryeministrin janë histori suksesi në pastrimin e mbetjeve, duke veçuar Sarandën dhe Himarën që bëjnë një punë të mirë në riciklim.

 

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro kërkoi që këto modele të shtrihen edhe në bashkitë e tjera dhe të nisë edukimi mjedisor në shkolla për ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve ndaj mbetjeve.

 

 

KERKOHET RICIKLIMI I MBETJEVE

 

RAMA THOTE SE BASHKITE NUK DUHET TE MJAFTOHEN VETEM ME PASTRIMIN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *