Kur ka kaluar më shumë se 1 javë nga supergrabitja në pistën e Rinasit, Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi marrjen në pyetje të personave përgjegjës për sigurinë në aeroport. Burime pranë organit të akuzës, mësohet se fillimisht kanë marrë në pyetje një prej administratorëve të “ICTS” kompanisë së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”. Burimet i thane Vizion Plus se administratori u pyet lidhur me bashkëpunimin që ka pasur me strukturat policore e shërbimet e sigurisë per planin e masave. Sipas dëshmisë, kompania nuk ka të drejtë të mbajë armatim brenda perimetrit të pistës pasi diçka e tillë është e ndaluar dhe në kontratë ndërkohë që në momentin e grabitjes patrulla e sigurisë sapo ishte larguar. Krahas administratorëve të “ICTS”, Prokuroria ka lëshuar fletëthirrjet dhe për shefin ekzekutiv të aeroportit. Organi i akuzës pritet të ballafaqojë dëshminë e tyre me ato të policisë ndërkohë që në dosje do të përfshihen të gjithë tabulatet telefonike. Prokuroria e krimeve të rënda ka rinisur edhe një herë hetimin për ngjarjen duke kërkuar të gjitha tabulatet telefonike të pjesëtarëve të sigurisë krahas punonjësve të cilët transportonin paratë. Dyshimet kryesore janë mbi pistën e bashkëpunimit nga brenda stafit të Rinasit kjo pasi në momentin e hyrjes grabitësit kanë qenë të pashqetësuar nga patrullat e sigurisë, të cilat edhe nga pamjet filmike dallohet qartë se largohen. Për vjedhjen e 1 milionë eurove mbahen në masë arresti me burg 3 pjesëtarë të sigurisë “ICTS”, kryetari i degës teknike të aeroportit si dhe drejtuesi i automjetit të sigurisë, ku u vodhën paratë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *