Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka kërkuar arrestimin e ish-kryeministrit nga radhët e VMRO-së Nikola Gruevskin për përgjimet e paligjshme. Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva dorëzoi  në Gjykatën Penale 17 akuza të reja dhe ka kërkuar arrestimin e 18 personave, mes të cilëve edhe politikanë. Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë akuzohen për “keqpërdorim të mjeteve financiare të fushatës zgjedhore”, “cenim për të drejtën e votës”, dhe “shoqërim kriminal”. Janeva ka kërkuar dhe arrestimin e ish-ministres së Brendshme,  Gordana Jankulovka, të ish-ministres së Kulturës Elizabeta Kanaçeska Mileska, ish-zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Vladimir Peshevski, ish shefin e Policisë sekrete, Sasho Mijalkov, e disa të tjerë.

 

Ish-kryeministri dhe kreu i VMRO-së Nikola Gruevski, në një deklaratë për media, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga PSP-ja, duke thënë se kjo e fundit po tenton të shkatërrojë partinë e tij.

 

“Në historinë e Maqedonisë por edhe të gjithë Evropës, deri tani nuk ka ndodhur përndjekje e këtillë klasike e kundërshtarëve politik. Qindra persona që janë pjesë e organeve ose përkrahës ndiqet me qëllim që partia të dëmtohet ose të shuhet. Bëhet fjalë për proces politik dhe jo të drejtësisë. PSP-ka kohë që e ka humbur paanshmërinë dhe besimin në punën e saj dhe është bërë instrument për qëllime politike. PSP – ja nuk është Prokurori por është zyrë e LSDM-së. Dua të njoftoj se konstruktiviteti që disa e quajtën dobësi në veprimin tonë përfundon sot. Tani është kohë që historia të vlerësoi dhe të gjykojë.”

 

Gruevski akuzohet nga PSP-ja për çështjet “Titanik”, “TNT”, “Trajektorja” dhe “Tanku”. Mediat maqedonase shkruajnë se Gruevksi rrezikon deri në 22 vite heqje lirie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *