Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Ilir Aliaj e cilëson shqetësues lajmin për një kërcënim të mundshëm iranian ndaj selisë së Organizatës Muxhahedine e Popullit të Iranit (MEK) në Manzë të Durrësit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Aliaj theksoi se situata aktuale e tensioneve rrit nivelin e rrezikut edhe për Shqipërinë.
Lexo edhe :
Related Posts
I pyetur mbi mundësinë që një raketë balistike iraniane të arrijë deri në Shqipëri, Aliaj tha se një skenar i tillë nuk përjashtohet, duke nënvizuar se iranianët disponojnë disa lloje raketash me rreze veprimi nga 300 deri në 2 mijë kilometra, distancë që e përfshin edhe Shqipërinë.
Sa i përket pozicionimit politik të Tiranës, eksperti u shpreh se rreshtimi i qartë pro-amerikan është në përputhje me orientimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e shikoni këtë lajm të fundit, i cili mund të shqetësojë jo vetëm ata që merren me politikën ndërkombëtare?
Ilir Aliaj: Është një lajm jo shumë i mirë për ne, pavarësisht se Shqipëria është treguar mikpritëse sa i përket MEK-ut, organizatës që ndodhet në Manzë të Durrësit. Ne e kemi vuajtur këtë edhe para disa vitesh kur pësuam sulmin kibernetik nga Irani. Tashmë shohim që në këtë situatë lufte, Irani po mundohet të shkaktojë vetëm kaos. Sot ka goditur, fatmirësisht pa pasoja, edhe një bazë britanike në Qipro, lajmi që ju sapo përcollët është një alarm edhe për ne.
Kjo mund të jetë një pyetje më shumë për strategët ushtarakë, por realisht njerëzit mund të pyesin: Sa gjasa ka që një raketë balistike të mbërrijë deri në anët tona?
Ilir Aliaj: Realisht ka gjasa, sepse ata kanë disa lloje raketash me rreze veprimi që fillojnë nga 300 km deri në 2 mijë km, distancë kjo që përfshin edhe Shqipërinë.
Shqipëria ka adoptuar një qëndrim të qartë pro-amerikan, pro aleatit të saj dhe kundër regjimit në Teheran. Si duhet ta shohim këtë pozicionim politik të Shqipërisë?
IlirAliaj: Ne nuk mund të bënim ndryshe. Mbi 90% e popullsisë është pro rreshtimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që besoj se as qeveria nuk mund të bënte një veprim të gabuar këtë radhë. Sigurisht që kjo mund të ketë një kosto sepse mund të sulmohemi. Irani po kërkon të shkaktojë vetëm kaos, si në tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe duke goditur vendet e Gjirit Persik. Sot është goditur një rafineri nafte në Arabinë Saudite, ndërsa Katari ka mbyllur hapësirën dhe të gjitha fushat e gazit. Janë goditur gjithashtu Omani, i cili ishte negociator për Iranin, Bahrejni, Kuvajti dhe fusha e Erbilit në Irak. Pra, të gjithë këta janë të përfshirë dhe, fatkeqësisht, edhe ne mund të jemi të përfshirë.
/vizionplus.tv






