Zyrtarët izraelitë kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe kanë hyrë në një përplasje të brendshme pas deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden se ai do të ndalonte disa dërgesa të armëve amerikane në Izrael nëse një operacion tokësor në shkallë të plotë do të nisë në qytetin e Rafah.

Pasi Biden bëri komentet e tij, në një intervistë të CNN, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, tha se ai besonte se vendimi “mund të inkurajojë armiqtë e shtetit të Izraelit dhe kombit izraelit”.

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi ndaj njoftimit duke postuar një video të shkurtër të një fjalimi të mbajtur disa ditë më parë, në të cilin ai tha: “Nëse Izraeli detyrohet të qëndrojë i vetëm, Izraeli do të qëndrojë i vetëm”.

Kabinetet izraelite të luftës dhe të sigurisë do të mblidhen të enjten në mbrëmje pas kërcënimit të Bidenit, thanë dy zyrtarë izraelitë për CNN.

Njoftimi i presidentit se ai ishte i përgatitur të kushtëzonte armatimin amerikan përbën një pikë kthese në konfliktin shtatë-mujor midis Izraelit dhe Hamasit.

Dhe pranimi i tij se bombat amerikane ishin përdorur për të vrarë civilë në Gaza ishte një njohje e qartë e rolit të Shteteve të Bashkuara në luftë.

Presidenti ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm, përfshirë nga anëtarët e partisë së tij, për të kufizuar dërgesat e armëve në mes të një krize humanitare në Gaza.

Komenti nga Biden për CNN është një pengesë e madhe për luftën e Izraelit. SHBA-ja është deri tani aleati më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm i Izraelit dhe pa mbështetjen e tij, fuqia e zjarrit dhe ambiciet e Izraelit në Gaza do të dobësoheshin.

Administrata Biden prej muajsh ka ushtruar presion mbi Izraelin që të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në Gaza dhe për të siguruar që më shumë ndihma humanitare mund të dërgohen atje.

SHBA i ka bërë gjithashtu vazhdimisht thirrje Netanyahut dhe qeverisë së tij që të rishqyrtojnë planet për një pushtim të plotë të Rafah, qyteti më jugor i Gazës, ku më shumë se 1 milion njerëz janë strehuar pasi janë larguar nga luftimet diku tjetër në rrip.

Izraeli, deri më tani, ka kryer një operacion të kufizuar rreth qytetit, duke marrë nën kontroll anën palestineze të kalimit Rafah, një pikë kyçe hyrëse për ndihma në Gaza, dhe duke kryer sulme ushtarake në skajet e qytetit.

Imazhet e reja satelitore të marra nga CNN nga Planet Labs tregojnë se sulmi i Izraelit në Rafah është zgjeruar nga sulmet ajrore në operacionet tokësore ditët e fundit.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) të hënën u kanë thënë disa njerëzve në Rafah lindor që të “evakuohen menjëherë” përpara një operacioni ushtarak në qytet.

Atyre iu është thënë të shkojnë në Al-Mawasi, një qytet bregdetar pranë qytetit të Khan Younis që grupet e ndihmës e kanë përshkruar si të mbipopulluar dhe jo të përshtatshëm për banim. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) vlerësoi se rreth 79,000 njerëz janë larguar nga qyteti që nga e hëna.

Pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje, administrata Biden ka qëndruar e palëkundur me Izraelin, duke ofruar armë dhe mbështetje të tjera.

Kërcënimi të mërkurën erdhi vetëm një ditë pasi Biden përdori fjalimin e tij në Muzeun Përkujtimor të Holokaustit në SHBA për t’i kujtuar njerëzve tmerret e sulmeve të 7 tetorit në Izrael, kur luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz në Izrael dhe rrëmbyen më shumë se 250. Shumë nga pengjet e marra në Gaza atë ditë mbahen ende në rrip.

“Shumë njerëz mohojnë, nënvlerësojnë, racionalizojnë dhe injorojnë tmerret e Holokaustit dhe 7 tetorit, duke përfshirë përdorimin e tmerrshëm të dhunës seksuale nga Hamas për të torturuar dhe terrorizuar hebrenjtë. Është absolutisht e neveritshme  dhe duhet të ndalet”, tha ai të martën, duke ngritur zërin.

“E kam bërë të qartë se nëse ata shkojnë në Rafah, ata nuk kanë shkuar ende në Rafah, nëse shkojnë, unë nuk do të lejoj dërgimin e armëve që janë përdorur historikisht”, tha Biden, duke shtuar se SHBA do të vazhdojë të furnizojë Izraelin me armë mbrojtëse.

Komentet e Bidenit kanë shkaktuar zemërim të konsiderueshëm në mesin e disa politikanëve izraelitë.

Duke folur në një ngjarje për nderimin e ushtarëve të rënë izraelitë dhe viktimave të sulmeve terroriste, ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha: “U drejtohem armiqve të Izraelit, si dhe miqve tanë më të mirë dhe them: Shteti i Izraelit nuk mund të nënshtrohet. Ne do të qëndrojmë të fortë, do t’i arrijmë qëllimet tona, do të godasim Hamasin, do të godasim Hezbollahun dhe do të arrijmë sigurinë”.

Miki Zohar, një ministër nga partia Likud e Netanyahut, tha se ishte “e mahnitshme të zbulosh se bota ka harruar atë që ndodhi në Izrael më 7 tetor”.

“Ne nuk do të komprometojmë sigurinë tonë dhe nuk do të pranojmë kurrë t’i nënshtrohemi ndonjë kërkese që dëmton sigurinë kombëtare të Izraelit,” shtoi ai në një postim në X./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *