Subscribe

Intitucionet e drejtësise duket se kanë marrë një leksion dhe janë vendosur në aksion  për të rritur sigurinë pas ngjarjes së rëndë në burgun e Peqinit, ku humbi jetën i burgosuri Arben Lleshaj pasi u qëllua për vdekje me armë nga i burgosuri tjetër Sokol Mjacaj.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se masat janë shtuar si për të burgosurit por edhe për trupën policore të vendosur në këto institucione që janë të sigurisë së lartë.

“Kemi nxjerrë përgjegjësitë tona përsa i përket sistemit. Kemi parë të gjithë mekanizmin e funksionimit në burgje, me fokus të veçantë ato të sigurisë se larte. Janë marrë masa të brendshme me karakter të brendshe, lidhur me ata që janë më burgim të përjetshëm. Në një moment të posaçëm, do të kemi një vendimmarrje për ta ulur në normalitet por dua tu garantoj që ngjarja e Peqinit është e rëndë”, tha Manja.

Ministri shtoi se drejtësia duhet të zbardhë ngjarjen e rëndë e njëkohësisht ka kërkuar një vëmendje më të veçantë për 12 policët e arrestuar.

“Drejtesia duhet të hetojë ashtu siç duhet të bëjë drejtesi edhe për 12 policët e burgut të Peqinit, që aktualisht janë në burg për fajin e vetëm se atë ditë ishin të planifikuar në shërbim. Drejtësia duhet të bëjë drejtësi edhe për këta police, sepse përgjegjësia penale nuk është kolektive por individuale.”, shtoi Manja.

Në fund ministri pati një kerkesë edhe për opozitën, që të bashkojnë votat për të kaluar draftin e amnistisë.

“Tani, ne detyrën tonë e bëmë dhe e dorëzuam draftin në parlament por nuk ka marrë votën e deputetëve në parlament. Kërkon 84 vota. Kërkon dhe votën e opozitës. Nga Korça u bëj thirrje deputetëve të opozitës të cilët kanë qenë një shtesë e konsiderueshme për mua, që me fillimin e sesionit parlamentar në Janar ta votojmë e të japim mundësinë rreth 700 të dënuarve ti cojme me familjarët e tyre në shtëpi”, përfundoi ministri.

Ministri i Drejtësisë i bëri këto deklarata nga Korça ku ishte i pranishëm në hapjen e zyrës juridike e cila për qytetarët e Korçës do të ofrojë shërbim falas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *