Kryeministri Edi Rama, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Njësinë 2, Tiranë, deklaroi se Partia Socialiste ka rinisur punën për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, (zgjedhjet lokale të vitit 2027).
Ai vuri në dukje ndikimin që zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme, kanë në ekonominë e vendit, duke nënvizuar se qeveria ka marrë masa konkrete për të përballuar situatën, përfshirë uljen e çmimit të energjisë dhe ndërhyrje në tregun e naftës.
Edi Rama: Ne kemi rinisur punën në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Ne fitoret tona i projektojmë edhe i përgatisim duke marrë kohë edhe shumë më parë se sa të gjithë të tjerët. Ne e kemi parë nevojën që të bëjmë një ristrukturim të punës në bashkinë e Tiranës. Po të shikojmë se si janë rritur disa qarqe është shumë e qartë që organizimi është A-ja. Sot jemi në një situtatë ku shikojmë me kënaqësi që pagat në sektorin privat vazhdojnë rriten. Pagat në sektorin publik gjithashtu vijojnë rriten. Na janë krijuar mundësitë edhe për rritjen e pensioneve. Kjo do të thotë që funksionon ekonomia. E mësuam të gjithë që ekonomia nuk është thjesht dhe vetëm e lidhur me çfarë bëjmë ne këtu por edhe me çfarë ndodh larg nesh. E mësuam këtë gjë me pandeminë, që na erdhi këtu nga larg dhe pastaj u impaktuam njësoj si gjithë të tjerët, e mësuam me luftën në Ukrainë, që është larg por goditi çmimet e energjisë dhe po e shikojmë prap me naftën, që po ndikohet nga lufta në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, kemi mësuar që ne nuk rrimë duarkryq dhe thjesht themi “kjo është situata”. Qoftë me pandeminë, qoftë me tërmetin, qoftë më luftrat, ne kemi bërë reagime të cilat kanë lehtësuar njerëzit dhe kanë ndihmuar që ekonomia të mos rrëzohet. Jemi i vetmi vend që kemi ulur çmimin e energjisë dhe e kemi ulur me 10%. Me naftën kemi hyrë në veprim dhe me Bordin e Transparencës kemi nisur ta diktojmë çmimin. Jemi duke u përgatitur për një ndryshim të madh. Do futet edhe shteti në këtë treg dhe shteti duke u futur e para të garantojë rezervat për çdo rast, se bota është shumë e madhe dhe gjithmonë e më shpesh po rrotullohet në drejtimin e gabuar, e dyta të ndikojë në çmimin e naftës, duke e sjellë atë në parametra të arsyeshëm. Ne po përgatietemi të futemi në atë treg me një komponent shtetëtor dhe gjithashtu po përgatitemi të fusim në tregun e naftës disa risi që kanë të bëjnë me kapacitetet e reja teknologjike.





