Kreu i qeverisë, Edi Rama në një komunikim live në Facebook ditën e sotme është ndalur te takimet e zhvilluara gjatë dy ditëve të fundit me deputetët në Vlorë dhe Tiranë. Në fokus të mbledhjeve në të dy qytetet ka qenë menaxhimi i situatës në terren, evidentimi i problematikave nga ana e qytetarëve, krijimi i një raporti kryesor me të gjitha shqetësimet që lidhen në këto qarqe dhe prezantimi i një raporti brenda dy javësh.
Rama bëri me dije se takimet do të vijojnë më pas në Durrës, Fier, Elbasan dhe Shkodër.
Rama: Kemi zhvilluar dy takime, do zhvillojmë edhe një tjetër në Durrës dhe më pas në Fier dhe ndoshta Elbasan e Shkodër. Në Vlorë e nisëm dje dhe sot në Tiranë vazhduam një takim që nuk u bë i plotë ditën e djeshme për shkak të Parlamentit, lidhur me muajin që kemi përpara dhe me domosdoshmërinë që deputetët të rikthehen në territor për të mbledhur përfundimisht të gjitha shqetësimet e qytetarëtve, por në këto qytete ka fokus të veçantë hapësira publike, e cila është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzim, zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme dhe ku ka gjithfarë lloj trarësh dhe pengesa që pengojnë frymëmarrjen e komuniteteve në blloqet e banimit.
Rama tha se deputetët së bashku me drejtuesit dhe përgjegjësit e sektorëve të ndryshëm nëpër bashki do duhet të shikojnë dhe çështje të tjera, të cilat i kanë parasysh nga fushata si dhe probleme që do të dalin nga komunikimet me njerëzit. Ai kërkoi nga strukturat e PS-së, që të mos “rehatohen” pas fitimit të zgjedhjeve dhe marrjes së 83 mandateve, dhe tha se këto mandate janë detyrim më i madh ndaj popullit dhe një aryse për të fjetur më pak.
Rama: Do të jenë dy javë intensive dhe pastaj do të rikthehemi për të vendosur në favor të komunitetit sepse është bërë e padurueshme për shumë njerëz, për shumë lagje në qytetet e mëdha ushtrimi i forcës, ushtrimi i vullnetit abuziv dhe patjetër edhe symbyllja e strukturave përkatëse, siç është evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë. I bëj thirrje të gjithë atyre që kanë keqkuptuar, por kjo është në radhë të parë një çështje e pushtetit vendor në këto territore, sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private. Kemi marrë 83 mandate nga ky popull. Të gjitha këto janë detyrime më shumë ndaj njerëzve që na i kanë dhënë. Nëse disa brenda nesh i shohin 83 mandate si një aryse më shumë për të fjetur gjumë, u them që jo vetëm që e kanë shumë gabim, por duhet të zgjohen një orë e më parë. Këto 83 mandate janë një aryse më shumë për të fjetur më pak. Ka pasur dhe nga ata që kanë fjetur dhe nuk e kanë prishur gjumin fare. Brenda dy javësh duhet të kemi inventarët e këtyre qyteteve./vizionplus.tv