Nga Esido Barkaj
Ndonëse kemi një ulje të numrit të aksidenteve, ndryshe paraqitet situata me numrin e viktimave.
Policia rrugore bën me dije se nga janari deri në mesin e muajit maj janë shënuar mbi 400 aksidente në të gjithë vendin, me 66 persona që kanë humbur jetën.
“Janë regjistruar 413 aksidente me 66 viktima. Në krahasim me vitin e kaluar gjatë kësaj periudhe janë rreth 87 aksidente më pak sesa viti i kaluar. Pra kemi një reduktim të numrit të aksidenteve, ndërsa tek pasojat kemi një shtim të numrit të viktima me 10 të vdekur më shumë sasa vitin e kaluar”, tha Ali Yzeri, specialist, drejtoria e Policisë Rrugore.
Yzeiri sqaron se kanë rënë aksidentet me përplasje të mjeteve, por janë rritur ato ku përfshihen këmbësorët dhe motorët.
“Vihet re që ne kryesisht nuk i kemi aksidentet mjet me mjet, por janë këmbësorët, motoçiklistët dhe çiklistët. Ndëkrohë kemi më pak raste mjet me mjet. Shumica e tyre janë për shkak të humbjes së kontrollit, kryesisht nga përdorimi i aparateve cellular”, tha ai.
Blutë shtojnë se një në tre aksidente janë si pasojë e këmbësorëve. Alarmi vihet re kryesisht në rrugët e reja si Unaza e Madhe apo në akse të tjera rrugore.
“Situata paraqitet ku 33% e aksidenteve me pasoja e përbëjnë shkeljet nga këmbësorët, kryesisht ndërprerje e rrugës, ose mosrespektim i këmbësorëve në vijat e bardha. Dominojnë rastet e ndërprejes së rrugës nga këmbësorët, siç janë rastet në disa akse të reja rrugore. Mund të marrim shëmbull Unazën e Re të Tiranës u shumë këmbësorë ndërpresin rrugën në mënyrë të menjëhershme”, tha më tej.
Ndërkohë në kuadër të sezonit turistik, policia rrugore ka hartuar planin e masave ku përqendrimi do të jetë kryesisht në zonat bregdetare, akse që priten të monitorohen edhe me dronë dhe pajisje të tjera teknologjike.
/vizionplus.tv





