Subscribe

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, akuzoi rivalin socialist, Erion Veliaj, se pas 8 vitesh në pushtet e ka lënë Tiranën pa ujë të pijshëm. Gjatë një takimi me banorët e zonës nro9 në kryeqytet, Këlliçi theksoi se është e pafalshme që në zemër të Tiranës, të kesh problem me ujin, të mos kesh çerdhe e rrugë.

 

“Qytetarët e Tiranës kanë nevojë bazike për çështjet më elementare që ka një qytetar, për ujin e pijshëm. Në lagjen tuaj, ju paguani tre herë për ujin e pijshëm: paguani UKT-n për ujin që sjell në rubinet, që nuk e pini; e paguani ujin për të pirë dhe për të gatuar gjithë familjet; dhe e paguani herën e tretë pompën për të prurë ujin te depozitat në mënyrë që të keni ujë. E ndërkohë çdo ditë në televizor ne shohim një propagandë goditëse ku thotë: _“Tirana ka 24 orë në ditë ujë të pijshëm”. Këtu është me luajt mendsh”

 

Këlliçi shpjegoi se po punon me ekspertë, për t’i garantuar Tiranës sa më shumë orë furnizim me ujë, pasi brenda një mandati nuk mund të bëhet furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm.

 

“Kur jam ulur me ekspertët, me inxhinierët e ujit, kur kam folur gjerë e gjatë për këtë çështje më është thënë tekstualisht: _“Për shkak të rrjetit aktual të amortizuar, të shkatërruar në Tiranë, për shkak të ndërtimit pa kriter, për shkak se në një zonë p.sh, ku është parashikuar rrjeti i kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza për 20 mijë banorë psh, sot ne kemi 50 mijë banorë, rrjeti është aq i amortizuar sa për katër vjet ti nuk e bën dot ujin e pijshëm për 24 orë. Dhe çfarë ka ndodhur? Nuk e kam premtuar se nuk e bëj dot. Ama kam premtuar që realisht do të kemi ujë të pijshëm, do tentoj që katër vjeçarin e parë uji të jetë i pijshëm nga çezma dhe të kemi realisht 14 orë ujë të pijshëm, por realisht të vijë në çezëm, pa pompë. ”

 

Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje ditën e dielë.

 

“Ditën e votimit, ju kërkoj ju lutem, flitini qytetarëve, komshinjve, miqve, të afërmëve, fisit, kujt të mundeni, ju lutem të kenë parasysh diçka: kur të shkojnë te kutia e votimit, te dhoma e fshehtë, jeni vetëm ju dhe Zoti lart. Nuk ua sheh dot votën as Belind Këlliçi as Erion Veliaj, sepse është duke intimiduar administratën publike, është duke i bërë terror Bashkisë Tiranë, terror i bëhet punonjësve të shkretë”

 

Këlliçi garantoi se opozita i ka të gjitha mekanizmat, për të mbrojtur votën e qytetarëve në 14 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *