Këlliçi ndan pesë prioritetet për Tiranën: Gishtat për korrupsionin, zemra për qytetarët

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e kryeqytetit, Belind Këlliçi ka ndarë pesë prioritetet e tij për Tiranën nëse do t’i besohet mandati për 4 vitet e ardhme. Në një takim me banorët e Njësisë Nr.7, Këlliçi nuk la pa përmenduar posterin e tij drejtuar korrupsionit.
“Ai posteri im i gishtave i ka mërzitur shumë njerëzit…i ka mërzitur shumë që unë i kam nxjerr zemrën qytetarëve, dhe i kam nxjerr gishtin korrupsionit. Janë mërzitur të gjithë hipokritët që jetojnë në Tiranë, që punojnë në Tiranë. Analistët e mediave, që mbrojë nga mëngjesi deri në darkë korrupsionin, që mbrojnë inceneratorët fantazëm, që janë të gatshëm të thonë se kanë hypur në trenin elektrik të Erion Veliajt, që janë të gatshëm të dalin në media dhe të na numërojnë 1 milionë pemët e Erion Veliajt. Sistemi që është ngritur sot në Tiranë, që është krejt i kalbur, korruptiv, i bazuar në lidhjet më okulte të kryetarit të Bashkisë me Ndraghetën italiane, të kryetarit të bashkisë me mafien e ndërtimit, ne bashkë do ta zhbëjmë në 14 maj. Ua them dhe njëherë, që pas datën 14 maj, do zhvilloj një luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, pa etikë dhe me gishtat ngritur ndaj vjedhjeve në bashkinë e Tiranës”.
Këlliçi theksoi se vëmendja duhet të shkojë përtej posterave të tij gjatë fushatës, duke sjellë në vëmendje dhe denoncimet që ai bën.
“Ndërkohë, ditën e djeshme, unë nxora një aferë të një drejtori, në bashkinë e Tiranës, që quhet Mariglen Qato, që është Drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, që s`ka lënë qytetar pa gjobitur në Tiranë, që ka hapur një kompani bashkë me familjarët e vetë në vitin 2016 kur ishte drejtor UKT-je, që ka marrë 25 milionë euro nga taksat e bashkisë, që ka futur familjarët e vet te financa e UKT-s, ku vetë ishte drejtor dhe vet me institucionin e vet paguan kompanitë e veta, dhe nuk dëgjova njeri dje që të fliste për këtë. Ku janë këta analistët që u shqetësuan për posterin?”-tha Këlliçi.
Këlliçi një thirrje drejtoi dhe ndaj SPAK lidhur me aferat që ai pretendon se ka denoncuar.
“Kam një thirrje për SPAK-un sot nga Njësia Nr.7. Ka shumë fjalë, po flitet ditët e fundit, se po përgatiteni që Mariglen Qaton ta arrestoni pas zgjedhjeve, për të mos i dhënë kosto kryetarit të bashkisë. Çfarë ju pengon të shkoni dhe ti verifikoni ato akuza që kam bërë unë? Çfarë ju pengon që tre vite që është bërë kallëzimi në SPAK për inceneratorin e Tiranës, të hapet dosja e Tiranës? Çfarë ju pengon të shihni shkresën e Erion Veliajt me firmën e tij dhe me vulën e bashkisë në mars të 2017, që shiti për 30 vite ekonominë e qytetit tonë. Çfarë ju pengon t`i shihni këto shkresa që janë bërë publike?”-u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Belind Këlliçi u ndal te angazhimet e tij për Tiranën. Ai theksoi edhe para banorëve të Njësisë Nr.7, se pas 14 majit, transporti publik do të jetë falas, ndërsa u shpreh se përfitues do të jenë shtresat e thjeshta të shoqërisë.
“Po falas do të jetë! Pas 14 majit ua garantoj unë se në autobus do të hipni pa paguar. Do të hipni në autobusa shumë herë më të mirë se këta që janë sot. Pse? Sepse janë paratë, ne nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur. Kur paska para 430 milionë euro për incenerator fantazëm, shqetësohen këta pse kam gjetur unë 16.5 milionë euro për studentët, për pensionistët, për të hipur në autobus falas, pse do t`ua lehtësojë unë jetën 200 mijë qytetarëve në ditë, pse do t`i mundësoj unë atyre banorëve të Shëngjergjit që të mos paguajnë më 2 mijë lekë biletën për të vajtur nga Shëngjergji në Kinostudio! Apo pse do t`i lehtësojë jetën mijëra e mijëra studentëve në Tiranë, të cilët vetëm në masën 22% mund të marrin një abone”-tha Këlliçi.
Këlliçi renditi prioritet e tij për drejtimin e bashkisë Tiranë pas 14 majit.
“Plani im me pesë pika kryesore është makthi më i madh që ka sot Erion Veliaj. Pse? Merret me opozitën, merret me mua, merret me doktor Berishën, merret me qytetarët. Vete e keni dëgjuar të flasë diçka në shërbim e dobi të qytetarëve? Ndërkohë që ne kemi: Autobusin falas; kemi nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, pa prekur sheshin, pa e dëmtuar një cm sheshin, dhe duke çliruar 60% të trafikut në qendër të Tiranës; kemi në plan ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave për çdo njësi në Tiranë; paketa ime rregullatore për uljen e taksave për biznesin e vogël, do t`i japë frymëmarrje të gjithë biznesit të vogël 45 mijë subjekteve në Tiranë dhe mbi të gjitha sigurisht 500 oazet që kemi premtuar”.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi theksoi gjithashtu se 14 maji pritet me padurim edhe nga socialistët, të cilët kërkojnë të largojnë sektin e Erion Veliajt nga drejtimi i bashkisë.
“Se edhe ata janë goditur nga banda e “G99” dhe “Mjaft-it” në Bashkinë e Tiranës. Unë betejën e kam me Erion Veliajn dhe sektin e tij të “G99” dhe të “Mjaft-it” në Bashkinë e Tiranës. Ka socialistë të ndershëm, ma besoni, që më shkruajnë çdo ditë. Mbi gjysmën e denoncimeve që unë marr, e marr nga brenda bashkisë së Tiranës, që janë të parët që me zor presin 14 majin për të shpëtuar nga përçudnimi dhe poshtërimi që u bën Erion Veliaj çdo ditë me bukën e gojës”-u shpreh Këlliçi.
Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi kërkoi mbështetjen e qytetarëve në 14 maj, duke votuar jo vetëm atë si kandidat, por edhe listën e këshilltarëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.




