Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, takoi qytetarët e njësisë numër 2 dhe numër 5, të cilëve u shpjegoi se 5 shtyllat e programit të tij synojnë të ulin kostos e jetesës në Tiranë dhe të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.

 

Sipas Këlliçit, reduktimi i trafikut në Tiranë do të jetë prioritet për të pas datës 14 maj.

 

 

BELIND KELLICI

 

KANDIDAT I KOALICIONIT “BASHKE FITOJME”

 

“Unë pesë prioritetet e mia i kam thënë para jush dhe herë të tjera, i ripërsëris dhe njëherë. Padiskutim autobusi pa pagesë falas pas 14 majit, nënkalimi te “Sheshi Skënderbej”, ndërtimi i çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Paketa e biznesit të vogël për uljen e taksave dhe tarifave, përgjysmimi i dy tarifave pastrimit dhe gjelbërimit dhe tarifës së hapësirës publike. Heqja e taksës antikushtetuese e infrastrukturës arsimore të përkohshme, që biznesi e paguan dy herë, një herë si biznes dhe një herë si familje. është padiskutim 500 oazet e gjelbërta ajo që ne diskutuam edhe në rrugëtimin tonë sot”

 

Për të gjithë qytetarët që jetojnë në banesa të ndërtuara para 50 vitesh, Këlliçi premtoi se asnjë pallat nuk do të shembet, duke përjashtuar rastet kur banorët bien vetë dakord.

 

 

“Një shqetësim i madh është prezent në këtë zonë sot, për shkak të një VKM-je të famshme që flitet, por mbi të gjitha për tentativën e kryetarit aktual të bashkisë Erion Veliaj, për të prishur godinat mbi 50-vjeçare në zonat kryesore të Tiranës, në zemrën e Tiranës, për t`i vjedhur truallin qytetarëve dhe për t`i hapur rrugë ndërtimit dhe mafies së betonit.

 

Garantoj dhe një herë nga këtu, nga kjo zonë, nga Njësia Nr.5, nga lulishtja “1 Maji”, se këto pallate, jo vetëm këto por në të gjithë zonën në të gjithë Tiranën, nuk do të preken dhe prona e qytetarëve nuk do të preket. Në ato komisione auditi që mund të ngrihen për të bërë një verifikim të gjendjes strukturore të pallateve, padiskutim do të ketë pjesëmarrës të familjeve, banorëve të pallatit dhe duhet të ketë përparësi interesi i qytetarëve dhe banorëve, çka do të thotë: vetëm nëse qytetarët do të duan, do të bien dakord, për të hapur rrugë për një projekt ndërtimi dhe do të nënshkruajnë që do të marrin sipërfaqen që kanë sërisht po aty ku e kanë, në të njëjtin pozicion ku e kanë, atëherë mundet të ecin përpara banorët me dakordësinë e tyre”

 

Këlliçi premtoi që për të prioritet janë qytetarët e Tiranës, pavarësisht bindjeve politike.

 

“Pas 14 majit Belind Këlliçi si kryebashkiak nuk do të bëjë më diferencime për qytetarët e Tiranës. Pse? Sepse demokratë e socalistë, me parti e paparti, ne ecim në të njëjtat rrugë. Ngecim në të njëjtin trafik.”

 

Edhe njëherë, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ftoi në debat publik rivalin socialist Erion Veliajn.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *