Subscribe

Komisioni Europian ka mohuar të këtë patur koordinim me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel i cili propozoi të hënën në Slloveni që Unioni dhe vendet kandidate të bëhen gati për zgjerim deri në vitin 2030.

 

Zëdhënësja e Komisionit, Dana  Spinant tha në një deklaratë për mediat se nuk ka dijeni për një gjë të tillë.

 

DANA SPINANT

 

ZËDHËNËSE E KOMISIONIT EUROPIAN

 

“Unë nuk jam në dijeni të ndonjë kontakti në lidhje me këtë fjalim. Zgjerimi është një proces i bazuar në merita dhe duhet të vazhdojë të jetë i tillë. Ne nuk fokusohemi në një datë.”

 

Zëdhënësja këmbënguli se procesi i zgjerimit mbetet prioritet i Komisionit Europian dhe presidentes Ursula von Der Leyen, bazuar në merita dhe arritje të kritereve nga secili vend.

 

“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në mënyrë specifike ka thënë se sa të përkushtuar jemi ne që ta bëjmë të suksesshëm zgjerimin. Gjithmonë kemi thënë se zgjerimi është prioritet dhe kandidatët duhet të anëtarësohen kur të jenë gati. Kemi punuar për së afërmi me kandidatët për t’i ndihmuar që ata të kryejnë reformat. Zgjerimi bazohet në merita dhe duhet të vazhdojë të jetë kështu.”

 

Debati për përgatitjet e BE-së për zgjerimin do të trajtohet në nivel liderësh në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet më 6 tetor .

 

Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia u bë vendi më i ri anëtar. Prej atëherë nuk ka pasur zgjerim ndërsa Britania e Madhe është larguar nga BE-ja duke e lënë atë përsëri me 27 shtete anëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *