Komisioni Europian përpiloi raportin final për shtetet e Ballkanit Perëndimor që pritet të miratohet më 12 tetor.

 

Komisioni nënvizon se këtë vit vendet e rajonit janë përballur me sfidat si pasojë e luftës në Ukrainë dhe krizës ekonomike.

 

Në lidhje me Kosovën raporti thekson se ka pasur përparim në stabilitetin politik, njësimin e politikës me Bashkimin Europian sa i përket qëndrimit ndaj luftës së Rusisë dhe gjithashtu theksohet se Prishtina i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

 

Ndryshe paraqitet situata me dialogun. Raporti thekson se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve dhe përparim në disa çështje si marrëveshja për energjinë dhe udhëtimi me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë.

 

Por të dyja vendeve u kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.

 

RAPORTI I KOMISIONIT EUROPIAN

 

Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe, për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre evropian.

 

Një pikë ku Prishtinës i tërhiqet vëmendja është gjyqësori, i cili përshkruhet si joefikas, i ngadaltë, ndaj kërkohet të implementohet reforma në gjyqësor e sugjeruar nga Komisioni i Venecias në koordimin me Bashkimin Europian.

 

Raporti tregohet kritik sa i përket Serbisë ku theksohet se Beogradi ka bërë kthim prapa në njësimin e qëndrimeve me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht për sanksionet ndaj Rusisë, të cilat Serbia vazhdon t’i refuzojë.

 

Sipas komisionit Evropian, Serbia me një numër deklaratash dhe veprimesh ka dalë kundër BE-së.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *