Komisioni Evropian ka nisur një procedurë disiplinore kundër Polonisë për ti hequr të drejtën e votimit në samitet e Bashkimit Europian, duke deklaruar se reformat e saj të debatueshme të Gjyqësorit dobësojnë pavarësinë e Gjykatave.

 

Nënkryetari i Komisionit Europian, Frans Timmermans, e justifikoi këtë lëvizje të KE me argumentin se 13 ligje të miratuara nga Polonia në dy vitet e fundit kanë krijuar një situatë, në të cilën shumica në pushtet “mund të ndërhyjë sistematikisht dhe politikisht në përbërjen, kompetencat, administrimin dhe funksionimin” e autoriteteve gjyqësore.

 

Ai tha se “sundimi i ligjit është i kërcënuar” në Poloni, duke shkelur një nga bazat e parimeve të BE-së, pavarësinë e Gjyqësorit.

 

Timmermans i dha Polonisë tre muaj për të tërhequr masat, por ministri polak i drejtësisë Zbignieë Ziobro tha se pavarësisht qëndrimit të BE-së, “reforma” e sistemit gjyqësor do të vazhdojë dhe se reformat janë të nevojshme për të frenuar korrupsionin.

 

Mediat ndërkombëtare raportojnë se në kuadër të masave nga Komisioni, Varshava mund të humbasë miliarda euro, të cilat i merr në formë ndihmash nga fondet e Unionit.

 

Ndërkohë mijëra protestues kanë dalë  në mbarë vendin për të kundërshtuar reformat e Polonisë të cilat do të sillnin pasoja të rënda për anëtarësinë e vendit në Bashkimin Europian. Zëvendës kryeministri i Hungarisë deklaroi se vendimi i BE për të nisur procedimet kundër Polonisë është i pashembullt dhe befasues. Hungaria është e vetmja aleate e Polonisë dhe mbështet reformat gjyqësore të Varshavës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *