Partia Demokratike nderoi sot një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes antikomuniste në qytetin e Kavajës, Josif Budo, i cili u vra nga forcat sampiste në 10 korrikun e vitit 1990.
Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Josif Budos, heroit të parë të lëvizjes antikomuniste në Shqipëri, kryetari i PD Sali Berisha vuri në dukje se sakrifica e të riut nga Kavaja u kthye në frymëzim për shqiptarët për tu ngritur kundër diktaturës komuniste.
“Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste më 26 mars, i burrave dhe grave të pamposhtur, e priti me sakrificën e Josif Budos dhe trimërinë e burrave dhe grave të saj, diktaturën, falangat e saj të krimit. Qëndroi e pamposhtur dhe përcolli me dinjitet të madh, siç e meritonte, heroin e vet në banesën e fundit, në banesën e pavdekësisë”, tha Berisha.
Kjo ceremoni riktheu në Shqipëri ambasadorin gjerman në Tiranë në vitet ‘90, njeriun që hapi dyert e ambasadës për 3200 shqiptarë në 2 korrikun e vitit 1990, Werner Daum.
“E ndjeva, të paktën që në vitin 1988, se populli shqiptar nuk ishte më i gatshëm ta mbështeste regjimin. Nuk ishin vetëm individë. I gjithë populli i Shqipërisë, dhe sidomos të rinjtë, rinia, studentët, por edhe të rinjtë e zakonshëm, nuk donin më të jetonin nën shtypje. E dija që duhej vetëm një shkëndijë për të ndezur një revolucion. Dhe ajo shkëndijë erdhi pikërisht këtu, nga Kavaja. Nuk e kam njohur Josif Budon. Vetëm dëgjova në Tiranë se kishte një kryengritje në Kavajë, se të paktën një person ishte vrarë nga Sigurimi. Por kjo ishte shkëndija që ndezi jo vetëm një rebelim, por revolucionin për liri”, tha ish-ambasadori i Gjermanisë, Werner Daum.
Ish-ambasadori gjerman Ëerner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari Fisnik Qosja, për mbështetjen që u dha shqiptarëve në momentet historike të vitit 1990./vizionplus.tv





