Miliarderi amerikan, Jared Isaacman, dhe tre persona të tjerë do të nisen sot në një fluturim në hapësirë.

Misioni treditor, nëse është i suksesshëm, do të jetë misioni i parë hapësinor pa një astronaut profesionist në bord.

Katërshja do të niset nga Qendra Kennedy e Agjencisë amerikane të Hapësirës (NASA) me anijen kozmike të kompanisë SpaceX.

Fluturimi është ide e miliarderit Isaacman, i cili ka thënë se hapësira duhet të jetë e hapur për të gjithë.

Ai e ka emëruar misionin e tij Inspiration4, apo Frymëzimi4.

Isaacman, 38 vjeç, pilot me përvojë, është themelues dhe shef ekzekutiv i një kompanie për përpunimin e pagesave.

Ai e ka paguar kompaninë SpaceX për realizimin e fluturimit, por shuma e parave nuk është zbuluar.

Për fluturimin Inspiration4, çdo anëtar i ekuipazhit është zgjedhur për të përfaqësuar një nga katër vlerat: udhëheqjen, shpresën, prosperitetin dhe bujarinë.

Isaacman përfaqëson udhëheqjen dhe ai do të shërbejë si komandant i misionit.

Të tjerët në bord do të jenë: Hayley Arceneaux, e mbijetuar e kancerit, që do të përfaqësojë shpresën; Sian Proctor, profesoreshë e gjeologjisë, që do të përfaqësojë prosperitetin, dhe Chris Sembroski, veteran i Forcave Ajrore të SHBA-së, që do të përfaqësojë bujarinë.

Fluturimi pritet të nisë në orën 8 të mbrëmjes, sipas kohës lokale në Floridë./ R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *