Në rajonet ukrainase të Donetskut, Luganskut, Khersonit dhe Zaporizhias, nga kjo e premte e deri më 27 shtator do zhvillohen referendume për bashkimin me Rusinë.

 

Votimet e orkestruara nga Kremlini dhe të organizuara nga zyrtarët pro rusë në këto rajone janë denoncuar nga Ukraina dhe Perëndimi si mashtrime pa asnjë forcë ligjore dhe që bien në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

 

Kjo shihet si një përpjekje e fundit e Rusisë për të aneksuar territor ukrainas, ndërkohë që ofensiva e Kievit në lindje po vijon me shpejtësi.

 

Edhe pse Moska nuk ka kontroll të plotë mbi këto rajone, referendumi shihet si një hap i dëshpëruar nga Kremlini për të negociuar më pas për këto provinca ose për të pretenduar se përpjekjet e forcave ukrainase për të rimarrë kontrollin, janë sulme ndaj vetë Rusisë, duke përshkallëzuar më tej konfliktin.

 

Autoritete ukrainase akuzojnë grupet pro ruse se po detyrojnë qytetarët të dalin në votime me forcë dhe se ata që nuk dalin shkarkohen automatikisht nga puna.

 

Moska nga ana e saj argumenton se referendumet në Donetsk , Lugansk dhe territore të tjera janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Përveç faktorit ndërkombëtar perëndimor i cili është shprehur menjëherë kundër këtij veprimi, edhe Kina është shprehur kundër.

 

Pekini zyrtar me sa duket i druhet një referendum të ngjashëm në Taivan, çka do e pavarësonte ishullin e kontestuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *