Subscribe

Të hënën parlamenti do të nisë shqyrtimin  e 4 drafteve të ndryshme për Reformën Zgjedhore; një draft i Partisë Socialiste dhe 3 drafte që vijnë nga deputetët që kanë marrë mandatet e PD dhe LSI.

Pak ditë para votimit të reformës, dy duket se janë çështjet që ndajnë mazhorancën dhe opozitën parlamentare; modeli i hapjes së listave të kandidatëve për deputet dhe pragu kombëtar.

Socialistët kanë propozuar modelin danez për listat, sipas të cilit një kandidat mund të thyejë renditjen e partisë dhe të bëhet deputet vetëm nëse arrin të marrë më shumë vota se sa i duhen forcës politike për të marrë një mandat. Ndërsa për pragun, socialistët kanë propozuar që vetëm partia e cila merr 3% të votave në rang kombëtar mund të marrë pjesë në shpërndarjen e mandateve.

Por 8 deputetë të opozitës parlamentare, mes të cilëve Myslim Murrizi e Rudina Hajdari kanë propozuar që pragu kombëtar të jetë 1%. Ndërsa për listat ata propozojnë një model që i lejon partisë të mbajë të mbyllur deri në 1/3 e kandidatëve.

E vetmja çështje për të cilën mazhoranca dhe deputetët e opozitës parlamentare bien dakord është modeli i koalicioneve, pasi të dy draftet parashikojnë aleanca me liste unike kandidatësh.

Deri më tani, nuk ka një draft nga PD e aleatët e saj, pasi koalicioni opozitar këmbëngul që të ruhet modeli aktual i koalicioneve.

Por mundësitë për arritjen e një konsensusi mes PS e PD bëhen gjithnjë e më të vogla dhe mazhoranca është e vendosur të votojë të enjten reformën zgjedhore pavarësisht qëndrimit të opozitës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *