Spanja po përballet me një krizë politike pasi katalanasit votuan në favor të pavarësisë në një referendum të kundërshtuar nga Madridi zyrtar. Pavarësisht presionit dhe dhunës së ushtruar nga qeveria qëndrore, nismëtarët dhe mbështetësit e referendumit për pavarësi të rajonit të Katalonjës arritën të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Sipas autoriteteve katalanase në votim morën pjesë 2.2 milionë njerëz nga 5.3 milionë që kanë të drejtë vote.

 

Ne referendum morën pjese 42.3% e zgjedhësve dhe 90% e tyre shprehën pro ndarjes nga Spanja. Ndërkohë 750 mijë vota nuk mund të numërohen për shkak se qendrat e votimit u mbyllën dhe kutitë u konfiskuan. Lideri i katalanasve, Carles Puigdemont tha se vota e njerëzve përcakton rrugën drejt pavarësimit të plotë.

 

“Qeveria ime do të dërgojë në ditët në vijim në Parlament, rezultatet e votimit, në mënyrë që të veprojë në përputhje me ligjin për referendumet.”

 

Kryeministri spanjoll, Rajoy e ka cilësuar votimin një tallje me demokracinë. Sipas tij nuk ka patur një referendum për pavarësinë e Katalonjës.

 

“Nuk kishte asnjë referendum, të jetë e qartë për të gjithë. Shumica e popullit katalanas nuk ka marrë pjesë në skenën e njerëzve që kërkonin pavarësi ndaj dua t’i falënderoj këta njerëz. Do të grumbulloj forcat politike parlamentare, do të ofroj një dialog të sinqertë në kufijtë e ligjit dhe të demokracisë.”

 

Madridi zyrtar është deklaruar i prerë për mosnjohjen e referendumit. Duke zbatuar urdhrin e Gjykatës Kushtetuese, policia spanjolle përdori shkopat dhe plumbat e gomës kundër njerëzve që donin të votonin, duke plagosur rreth 900 prej tyre.

 

Votimi për referendumin e së dielës në Katalonjë rrezikon ta çojë vendin në një nga krizat më të këqija politike që nga fundi i diktaturës së gjeneralit Franco më 1975.

 

Sipas ekspertëve, pjesëmarrja në referendum ishte 42,3%, një shifër që ngre pikëpyetje për vlefshmërinë e tij, pasi nuk mori pjesë as gjysma e popullsisë me të drejtë vote.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *